Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vaksinat anti-COVID vijnë shpejtë thotë Zemaj, por nuk tregon kur dhe prej nga

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në konferencën e mbajtur sot për Koordinim dhe Vlerësim të situatës epidemiologjike në vend, ka folur për furnizimin e Kosovës me vaksinën kundër coronavirusit.

Ai tha se janë në pritje dhe shumë shpejtë do të fillohet procesi i vaksinimit kundër infeksionit COVID-19, madje për këtë ministri potencoi se kanë edhe dokumente dëshmuese por se me partnerët janë dakorduar që të ruhet konfidencialiteti.

“Po presim edhe ne që sa më shpejt të fillojmë procesin e vaksinimit. Kemi dokumente zyrtare por nuk na lejohet publikimi, për shkak të sensivitetit për çka edhe jemi dakorduar për konfidencialitet”, tha ai.

Zemaj, gjithashtu ka potencuar se angazhimi për furnizim me vaksinë tashmë është rutinor.

“Komunikimi është i rregullt me shtet mike veç e veç të BE-së me Komisionin Evropian por edhe me shtet siç janë ShBA, Japonia e Izraeli që jemi në komunikim për furnizim me vaksina”, theksi ministri.

“Pjesa që ndërlidhet me aleancën COVAX, konfirmimin e kemi marr që sasia për Kosovë do të jetë në prodhim gjatë marsit. Jemi në pritje, është komunikim ditor edhe përmes UNICEF-it edhe përmes mekanizmave tjerë. Ministria e Shëndetësisë por edhe Instituti e kanë realizuar edhe planin e imunizimit”, shtoi ai.

Kosova është i vetmi vend në rajon i cili ende nuk ka filluar vaksinimin me vaksinën COVID-19.

Vaksinat fillimisht ishin premtuar se do të vijnë në muajin shkurt mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Vendi është duke u ballafaquar me rritje të lartë të rasteve pozitive me SARS-CoV-2, në 24 orët e fundit 828 raste me COVID-19 janë shënuar në nivel vendi, përderisa tetë persona kanë vdekur.

Sërish numër i lartë i infektimeve me COVID-19