Ugljanin: Hapat për hapjen e urës së Ibrit duhet t’i ndërmarrë Qeveria

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, konsideron se hapja e urës së Ibrit për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe automjeteve është çështje që tashmë i takon Qeverisë së Kosovës.

“Ne, asnjë letër nuk e kemi marrë as nga Ministria e Pushtetit Lokal e as nga Ministria e Punëve të Brendshme … Sigurisht janë kompetencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe bashkësisë ndërkombëtare për me e zgjidh [këtë çështje]. Por, ne s’mundemi dhe s’kemi të drejtë si Kuvend Komunal me bisedu sepse pasi e kemi pru vendimin, hapat duhet me i marrë qeveria”- ka thënë Ugljanin.

Thjesht, sipas tij, kjo çështje tashmë u takon instancave më të larta.

“Unë konkretisht e kam përkrah vendimin, sidomos nga strukturat e sigurisë për hapat konkretë që do t’i marrin. Kur do t’i marrin ne nuk e dijmë. Ajo është pyetje dhe çështje për nivelin e instancave më të larta”- potencoi kryesuesi.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës të Mitrovicës së Veriut më 31.05.2024, ka kërkuar që të zbatohet vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Çështja e urës është ngritur në këtë seancë nga asamblistja, Aida Ferati- Doli. Ajo ka thënë se çështja e urës i takon dy komunave, si të Mitrovicës së Veriut ashtu edhe asaj të Jugut.

Pas përfundimit të seancës, zëvendëskryesuesi i kuvendit komunal, Skender Sadiku ka thënë se çështje e urës së Ibrit nuk ka qenë në rend të ditës për seancën e sotme.

“Kemi ardh në një seancë të rregullt, është hapur si temë ura e Ibrit që nuk është ndryshu rendi i ditës. Në prill të vitit 2023 kemi marrë vendim që të hapet ura, ndarja që i brengos qytetarët është tek njerëzit sesa të betoni”- u shpreh ai.Ai tha se nuk ka koment pse nuk po zbatohet vendimi i asamblesë komunale nga institucionet qendrore të Kosovës.

Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë ditës, edhe nga Bashkimi Evropian është bërë thirrje që çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër të trajtohet në kuadër të dialogut të Brukselit.

Ura mbi Ibër që nga viti 1999 është kthyer në “simbol” të ndarjes së Mitrovicës, në jug dhe veri. Në jug- shumica shqiptare, në veri- shumica serbe.

Kjo urë, në vitin 2011 ishte kthyer edhe në simbol të barrikadave nga serbët lokalë.

Në vitin 2014, barrikada u zëvendësuan me gardhe betoni e me pemë, të cilat u quajten si “Parku i Paqes”.

Në vitin 2016 u hoq ky park dhe u planifikua që ura të hapet për qarkullim.

Në prill të vitit 2023, në Kuvendin i Komunës së Mitrovicës së Veriut është marrë vendimi për hapjen e kësaj ure. Por, ky vendim nuk është zbatuar ende.

Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut bëhet thirrje për hapjen e urës së Ibrit