UEFA gjobitë Shqipërinë me mbi 47 mijë euro

Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA e ka gjobitur edhe njëherë tjetër Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Shuma totale e gjobës është 47 mijë e 500 euro dhe ka të bëjë me incidentet në ndeshjen kundër Kroacisë në kuadër të Euro 2024, të luajtur me 19.06.2024 në Hamburg të Gjermanisë.

Sipas njoftimit të FSHF-së, gjoba është për ndezje të flakadanëve nga disa tifozë shqiptarë, transmetimin e mesazheve të papërshtatshme gjatë ndeshjes, si dhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz.

“Edhe njëherë tjetër Federata e Futbollit gjen rastin t’u bëjë apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Gjithashtu, FSHF bën me dije se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë jo sportive politike, etnike” – thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria gjobitet nga UEFA në Euro 2024. Herën e parë u gjobit me 37 mijë e 375 euro pas ndeshjes ndaj Italisë, pikërisht për të njëjtat arsye.