Foto: Shërbimi Korrektues i Kosovës/Facebook
U tentua të futej drogë në Dubravë përmes kompanisë që ishte e kontraktuar për pajisje elektrike (FOTO)
Në Qendrën Korrektuese të Dubravës është parandaluar futja e lëndëve narkotike përmes veturës së një kompanie, e cila ishte kontraktuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për servisimin e pajisjve elektrike.
Informacioni konfidencial fillimisht ishte pranuar nga Njësiti i Inteligjencës së SHKK-së, përmes rrugëve operative.
“Në tunelin e hyrjes në Porten e Re të qendrës kanë lokalizuar veturën e kompanisë, e cila është e kontraktuar për servisimin e pajisjeve elektrike në SHKK”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues.
Gjatë kontrollit, brenda pjesës së pasme të veturës, pra në bagazh, në mënyrë të kamufluar është gjetur substancë e dyshuar narkotike.
Lidhur me rastin është njoftuar policia, ndërsa SHKK ka filluar hetimet.
“Shumë shpejt do të dalë me një raport të detajuar. Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe asnjëherë nuk do të qëndrojë duarkryq përballë këtyre dukurive negative, të cilat rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.