Turqi: Shtatë gra të ‘vrara egërsisht’ nga bashkëshortët aktualë ose ish-bashkëshortët në një ditë të vetme

Rritja e rasteve të femicidit vjen pas tërheqjes së Turqisë në vitin 2021 nga Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Shtatë gra u vranë nga partnerët ose ish-partnerët e tyre në të gjithë Turqinë të martën (27.02.2024), sipas stacionit televiziv Habertürk.

“Në total, shtatë gra u vranë egërsisht në İzmir, Bursa, Sakarya, Erzurum, Denizli dhe Stamboll”- raportoi Habertürk, duke i renditur qytetet kryesore të vendit.

“Të dyshuarit ishin ose bashkëshortët e tyre aktualë ose bashkëshortët nga të cilët ishin ndarë”- tha transmetuesi, i cili renditi emrat e viktimave me fotografitë e tyre në faqen e tij të internetit.

Gratë, të moshës nga 32 deri në 49 vjeç, u qëlluan ose u goditën me thikë për vdekje. Të paktën tre nga sulmuesit vranë vetën e tyre, dy u arrestuan dhe një që u plagos dhe u ndalua vdiq më vonë.

Mbetet i paqartë fati i vrasësit të shtatë, i cili kishte shpëtuar nga burgu për ta vrarë gruan e tij.

Në vitin 2023, OJQ-ja për të drejtat e grave, “We Will Stop Femicide” regjistroi 315 vrasje të grave, 65% e të cilave u vranë në shtëpitë e tyre.

248 raste të tjera të “vdekjeve të dyshimta”, të përshkruara si “vetëvrasje” nga autoritetet, i janë atribuar një pale të tretë nga grupet feministe, të cilat vënë në dukje rritjen e incidenteve të mbrojtjes në Turqi.

Turqia u tërhoq në vitin 2021 nga Konventa e Stambollit, Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e cila u kërkon autoriteteve të hetojnë dhe ndëshkojnë dhunën ndaj grave.

“Në 15 vjet, i vetmi vit kur numri i femicideve u ul ishte viti 2011, vit në të cilin u miratua Konventa e Stambollit”- thotë OJQ e lartcekur.

Një padi e ngritur kundër OJQ-së “We Will Stop Femicide” nga prokurori i Stambollit në vitin 2022 mbi “veprimtaritë imorale” të supozuara u hodh poshtë shtatorin e kaluar./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala