Objekti i ambasadës amerikane në Irak.
Tri raketa bien afër Ambasadës amerikane në Bagdad
Tri raketa kanë rënë sot në orët e para të mëngjesit afër Ambasadës amerikane në Bagdad, ka njoftuar komanda ushtarake irakiane, raporton AFP.
Koalicioni anti-xhihadist, i drejtuar nga amerikanët, ka konfirmuar “dëmet e vogla nga raketat” në bazën zyrtarisht irakiane afër Ambasadës amerikane, ku gjenden komanda dhe shumë forca të koalicionit ndërkombëtar.
Siç raporton AFP, komanda ushtarake irakiane sikur edhe koalicioni sigurojnë se nuk ka asnjë viktimë.
Shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 00:30 dhe menjëherë janë ndezur sirenat e alarmit të Ambasadës amerikane.
Sulmet me raketa kundër ushtarëve, diplomatëve apo bazave të Shteteve të Bashkuara në Irak janë shtuar që nga fundi i tetorit 2019.
Për asnjë prej 19 sulmeve të regjistruara që nga 28 tetori përgjegjësinë nuk e ka marrë askush por Washingtoni akuzon fraksionet e armatosura pro-Iran se janë autorë të këtyre sulmeve.