Tri projektligjet e kritikuara nga BE-ja nuk hiqen nga rendi i ditës, opozita lëshon seancën

Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të seancës së sotme të Kuvendit [27.06.2024] ka propozuar që tri projektligjet që janë në shqyrtim të dytë, ai për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, të tërhiqen nga rendi i ditës, për shkak të vërejtjeve dhe rekomandimeve nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Këshilli i Europës.

Një propozim të tillë e kanë mbështetur grupet parlamentare të opozitës, por jo edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Pas kësaj deputetët opozitarë, kanë lëshuar seancën plenare.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se për këto tri projektligje, Zyra e Bashkimit Europian dhe Këshilli i Europës kanë deklaruar se përmbajtjet e tyre janë kundër standardeve ndërkombëtare.

“E kemi një propozim që edhe tri projektligje tjera t’i kthehen ose komisioneve ose propozuesit. E para është Ligji për Këshillin Prokurorial, e dyta është Ligji për KPM-në dhe e treta është Ligji për Zyrtarët Publik. Për të tri këto, Zyra e BE-së dhe Këshilli i Europës ka reaguar që materia në të cilën kanë punuar komisionet parlamentare janë kundër standardeve ndërkombëtare”- tha Selmanaj.

“Për dy ligjet e para kemi pasë edhe vendime të Gjykatës Kushtetuese që ato janë kundërkushtetuese. Kemi menduar që edhe mas vërejtjeve të Komisionit të Venenecias që ka pasë një keqlexim dhe nuk është kuptu drejtë dhe është bërë një gabim nga komisioni parlamentar. E kemi pa që nuk është gabim dhe nuk është keqlexim, por punë e qëllimshme për kapjen e tri segmenteve të rëndësishme në shoqëri, që janë: organi i akuzës, mediat dhe administrata e shtetit”- shtoi ai.

Deputeti i LVV-së, njëherësht kryetar i Komisionit parlamentar për Media, Valon Ramadani, u shpreh se me projektligjin e Komisionit të Pavarur për Media nuk po cenohet pavarësia e mediave.

“Nuk është e vërtetë që me këtë projektligj cenohet pavarësia e mediave. Ka përafrim të direktivës së BE-së e cila është e vitit 2018, e në ligjin në fuqi të KPM-së e kemi nga viti 2012. Unë ju rekomandoj që kjo pikë kur të vie [në shqyrtim] të diskutohen të gjitha amendamentet, me atë përmbajtje që janë, të nivelit që janë, marrë parasysh çështjet kryesore dhe të ecim tutje”- tha Ramadani.

Kryetari i Asociacionit te Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, sot më 27.06.2024 përmes një konference ka shprehur shqetësimet e tyre lidhur më projektligjin e Komisionit të Pavarur të Mediave i cili pritet të miratohet sot në lexim te dytë në Kuvendin e Kosovës.

“Si AGK e themi se Shoqëria Civile nuk ka qenë e përfshirë në fazat kryesore të hartimit të këtij ligji dhe qeveria e Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar që të flasë me gjithë akterët”- tha kryetari i AGK-se, Xhemajl Rexha.

Ndërkaq sipas juristes së mediave Flutura Kusari, ky ligj është thelbësor dhe është dashur të trajtohet me një ndjeshmëri më të lartë.

Ndërsa, Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.

Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja thotë se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.

Zyra e BE-së në Kosovë: Shprehim keqardhje që nuk u morën parasysh komentet tona për tri ligje