Thaçi: Historiografia duhet të shkruhet në përputhje me të vërtetën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shkrimi i historisë duhet të bëhet duke u bazuar te e vërteta.

Kështu u shpreh ai gjatë hapjes së konferencës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, e cila u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë.

“Historia, e vërteta është e pakorrigjueshme, ndërsa historiografia duhet të shkruhet në përputhje me të vërtetën dhe korrigjohet nga ndikimi ideologjik, cenzura dhe format e tjera të ndikimit”, u shpreh Thaçi.

Ai shtoi se kushtet e punës së të dy akademive janë më të mira kohët e fundit.

“Të dy akademitë tona 140 vite pas Lidhjes së Prizrenit mund të veprojnë në kushte shumë më të volitshme se në të gjitha kohët deri tash. Më nuk ka as diktaturë e as robëri”, tha presidenti Thaçi.

I diplomuari nga Fakulteti i Historisë në Universitetin e Prishtinës, vlerësoi se Lidhja e Prizrenit “ishte rezultat i situatës së re gjeopolitike që e solli kriza lindore”.

“Me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit pas tërheqjes së Perandorisë Osamane nga Ballkani shumica e trojeve shqiptare edhe ashtu të ndara në disa vilajete u jepeshin shteteve fqinje. Ndërsa në Kongresin e Berlinit fuqitë e mëdha vendosnin pa e përfillur vullnetin e popullit shqiptar…”, u shpreh ai.