Foto: KALLXO.com

Të akuzuarit për vendosje të bombave te lokali i biznesmenit në Prishtinë japin versionin e tyre në Gjykatë

Artan Avdullahu, Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi, të akuzuar nga Prokuroria Speciale se kanë vendosur bomba te lokali i Hajrullah Kryeziut me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit të këtij të fundit, kanë dhënë në Gjykatën e Prishtinës versionin e tyre për ngjarjet që dyshohet se kanë ndodhur në vitin 2010.

Në seancën e sotme, Artan Avdullahu dhe Bekim Krasniqi u deklaruan për veprat që u vihen në barrë, ndërsa Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi u mbrojtën në heshtje.

I akuzuari Artan Avdullahu tha se dëshmitë e dhëna në Prokurori ishin bërë nën kërcënim të vazhdueshëm nga një person me pseudonimin “Buci”.

“Tri deklaratat e tjera janë bërë pa dashje, prej presionit dhe prej tute. Më kanë ardhë në shtëpi, nuk ma kanë lëshu derën kurrë” – tha Avdullahu.

Tutje, i akuzuari tha se i tërë roli i tij në këtë ngjarje ishte vetëm të vëzhgonte shpërthimin e bombave.

“Roli jem ka qenë veç me vëzhgu edhe mos me pasë dëme në njerëz” – tha ai.

Avdullahu shtoi më tej se kishte menduar që i dëmtuari Hajrullah Kryeziu ishte person i keq dhe se nuk ishte në dijeni për konfliktin që tashme të akuzuarit e tjerë e kishin me të dëmtuarin për tokën e cila ndodhej në fshatin Milloshevë.

Në fund të mbrojtjes së tij, i akuzuari Artan Avdullahu shtoi se e ndjente veten si mjet që të tjerët e përdorën për të arritur qëllimet e veta. Dhe me lot në sy shprehu keqardhje për gjithçka që kishte ndodhur.

Prokurori i rastit kërkoi që deklarata e të akuzuarit të mos merret parasysh pasi që është kundërthënëse me deklaratat e dhëna më parë në hetuesi.

Ndërsa i akuzuari Bekim Krasniqi në deklarimet e tij tregoi që një person me emrin Hajrullah e kishte informuar se ishte në rrezik për jetën dhe se ai mund t’i ofronte mbrojtje të afërt Krasniqit. Pasi që, sipas tij, Hajrullahu ishte pronar i një firme e cila ofronte mbrojtje të afërt. I gjendur në këtë lloj situate Bekim Krasniqi kishte kërkuar mbrojtje të afërt nga kjo kompani.

Bekim Krasniqi tha se kishte nënshkruar një kontratë nën kërcënimin e disa njerëzve të panjohur pas kërkesës së Hajrullahut ku i ka premtuar që pas nënshkrimit të kësaj kontrate më nuk do të ketë asnjë problem sa u përket kërcënimeve.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria dyshon se Artan Avdullahu më 25.5.2010 dhe më 7.9.2010 në Prishtinë, përkatësisht në lagjen “Dardania”, para hyrjes së kompanisë së sigurimeve “ICT” kishte vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit.

Kështu që më 25 maj të vitit 2010 kishte vënë dy bombola gazi dhe një granatë dore, njëra prej tyre kishte arritur të shpërthente rreth orës 2:00 të mëngjesit kurse tjetra ishte gjetur e pashpërthyer. Kurse më 7 shtator të vitit 2010 përsëri kishte vendosur një granatë dore dhe një bombol gazi ku që të dyja kanë shpërthyer duke shkaktuar rrezikim të përgjithshëm për jetën e njerëzve.

Më këto veprime i pandehuri sipas Prokurorisë Speciale ka kryer veprën penale posedim dhe shfrytëzim i paautorizuar i armës.

Ndërsa të akuzuarit Artan Avdullahu, Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi, duke vepruar si anëtarë të grupit kanë kërcënuar rëndë Hajrullah Kryeziun me qëllim që vetes dhe të tjerëve t’i sjellin dobi pasurore.

Kështu që në datat e lartcekura i pandehuri Artan Avdullahu në pronën e të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu më saktësisht te zyrat e “ITC” në Prishtinë kishte vendosur granatë dhe bombolën e gazit,  i shtyrë nga të pandehurit Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi, kjo me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit të Kryeziut që i njëjtit të tërhiqet nga prona të cilën ky i fundit e kishte privatizuar nga AKP me sipërfaqe prej 91 hektarësh.

Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale – detyrim  i mbetur në tentativë.

Në vitin 2018, emisioni “Drejtësia në Kosovë“ ka transmetuar rrëfimin e Artan Avdullahut, i cili ka treguar se kujt i ka vendosur bomba, ku ishte stërvitur për montimin e bombave dhe kush kanë qenë urdhërdhënësit.

Në emision janë përfshirë edhe deklaratat e viktimave dhe të dyshuarve.

www.kallxo.com