Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri thotë se Kurti po ndërhyn në punën e Policisë: Meritat e institucioneve të pavarura ia atribuon vetes

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pas postimit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti  për punën e qeverisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë vitit 2022.

Tahiri ka thënë se Kurti fajëson të tjerët për dështimet e tij dhe meritat e institucioneve të pavarura ia atribuon vetes.

“Kryeministri Kurti në postimin për të ‘arriturat’ në fushën e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, ia atribuoj vetës rezultatet e arritura nga institucionet e agjencive të pavarura në luftimin e kriminalitetit dhe manipuloi qytetarët me shifra e fjalë”- shkruan Tahiri.

Ai thotë se çdo rezultat i arritur në luftimin e krimit është meritë e institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit.

“Çfarë meritash ka Kurti në çështjet operacionale të policisë, prokurorisë e agjencive tjera, kur këto institucione janë të pavarura në hetimin dhe ndjekjen e krimit? Çfarë roli ka luajtur Qeveria Kurti në 854 operacionet policore?”.

“Për informatë, në vitin 2019 ishin realizuar 1,156 operacione policore dhe kjo ishte meritë e punës profesionale të policisë, prokurorisë e agjencive tjera të zbatimit të ligjit. Si atëherë, edhe sot, çdo rezultat i arritur në luftimin e krimit është meritë e institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit”- është sprehur Tahiri.

Krytari i GP të PDK-së, ka kërkuar nga kryeministri të tregojë e sa grupe të organizuara kriminale janë shkatërruar.

“Kurti është duke vazhduar të manipulojë më fjalën “grupe kriminale” e duke dhënë shifra të larta të shkatërrimit të tyre. Por ekziston dallim substancial në mes të “grupeve kriminale” e “grupeve të organizuara kriminale”. Sikur në Kosovë brenda një viti të luftoheshin 69 grupe të organizuara kriminale, i bie që ne jemi shtet i kapur nga krimi i organizuar dhe me nivelin me të lartë të krimit në Evropë. Prandaj, Kryeministri Kurti nëse dëshiron të përvetësojë merita të institucioneve të pavarura, le të na tregojë se sa grupe të organizuara kriminale janë shkatërruar, pasi këto kanë rëndësi dhe jo grupet e trilluara nga qeveria”- thotë ai.

Më tej, Tahiri thekson se,  përgjegjësia e Qeverisë është hartimi dhe miratimi i politikave dhe ligjeve që forcojnë luftën kundër krimit, por që sipas tij, kanë kaluar pesë muaj dhe ende nuk është zgjedhur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

“Që gati 5 muaj nuk e ka zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për të cilën pozitë kishin aplikuar vetëm 5 kandidatë apo 3%, nga ata të cilët kishin të drejtë të aplikonin. Ky numër tejet i vogël është pikërisht rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme të Kryeministrit Kurti në punën e policisë, ndërhyrje që ka ndikuar që pjesëtarët e policisë të mos kenë besim e vullnet për të punuar me këtë qeverisje”- thotë Tahiri.

“Tash e një vit e gjysmë, Njësia e Inteligjencës Financiare ka mbetur me ushtrues detyre, sikurse edhe shumë pozita tjera të larta drejtuese”- shtoi ai.

Kryeministri Kurti në një postim të tij në rrjetin social “Facebook” ka shkruar për punën e qeverisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë vitit 2022.

Ai ka pretenduar se 5 laboratorët e drogës që janë shkatërruar në veri kanë pasur vlerë qindra milionëshe.

“Shkatërruam 5 laboratorë të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratorë për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri” – ka thënë Kurti.

Përveç kësaj, si suksese të qeverisë ai ka renditur edhe arrestimin e 3202 personave, prej tyre 301 zyrtarë publikë, 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës e mbylljen e 16 rrugëve ilegale në veri.

Tutje i pari i ekzekutivit, ka thënë se janë shkatërruar 69 grupe kriminale, janë konfiskuar mbi 1.8 ton substanca narkotike, janë ngrirë mbi 14 milionë euro nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave dhe janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që siç thotë ai nuk ishin konform me aktet nënligjore.