Tahiri: Kurti po shkon në dialog pa i përmbushur kushtet që i ka kërkuar sa ka qenë në opozitë

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka komentuar vizitën që kryeministri Albin Kurti do ta ketë pas disa ditësh në Bruksel.

Sipas Tahirit, Kurti po shkon në dialog pa i përmbushur kushtet që Vetëvendosje i ka kërkuar sa ka qenë në opozitë.

“I kemi pa qëndrimet e Kurtit sa ka qenë në opozitë. Tani kemi një ndryshim të madh në këto parime të Kurtit dhe tash po e fillon një dialog pa i përmbush kushtet sa ka qenë në opozitë. Të premten do të diskutohet agjenda e dialogut në Kuvend”, tha Tahiri para mediave.

Tahiri tha se çështja e asociacionit nuk duhet të trajtohet fare në dialog. Çështjen e asociacionit sipas tij e ka trajtuar Gjykata Kushtetuese.

“Krejt çka i duhet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është respektimi në plotni të vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket asociacionit. Nëse hedhet në tryezën e diskutimeve atë herë i bie që duhet me ndërruar Kushtetutën. Nuk besoj që kryeministri e ka atë guxim dhe gatishmëri me bo një gjë të tillë”, tha Tahiri.

Ai shtoi se nuk do ta lejojnë në asnjë rrethanë një ndryshim të tillë i cili sipas tij do ti jepte mundësinë krijimit të një institucioni që do të ishte një pushtet i tretë në mesin e dy pushteteve lokale dhe atyre qendrore.