Sot shënohet Epopeja e Dukagjinit, Konjufca përkujton dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj

Në 26 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t’i përkujtuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

Konjufca ka thënë se tre dëshmorët e rënë me 24 mars 1998 nuk e dinin se pikërisht pas një viti, do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të forcave okupatore të Serbisë.

“Ata dinin vetëm se me guximin dhe vendosmërinë e tyre ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë. Ata ishin të bindur se gjaku i dëshmorëve e sjell lirinë e popullit tonë.Shembulli i tyre është udhërrëfyes tepër i vyer për brezat e ardhshëm, prej të cilit nuk do të reshtim së mësuari, e do të frymëzohemi gjithmonë.Lavdi e përjetshme Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit” – ka shkruar ndër të tjera Konjufca në Facebook.