Si ndikojnë zgjedhjet në shpërdorim të buxhetit?

Sa herë që vendi është në vit zgjedhor, institucionet nisin të shpenzojnë buxhet më shumë. Ani se pa ndonjë planifikim paraprak, shumë rrugë shtrohen me asfalt.

Por, njohësit e financave po vlerësojnë se mënyra se si institucionet po e shpenzojnë buxhetin në kohë fushate është e gabuar.

Enver Haliti, anëtar i komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, tha se projektet që nisin në kohë fushate elektorale asnjëherë nuk po përfundojnë si duhet.

“Unë shoh një problem te keqplanifikimi dhe futja te shumë projekte me vlera minimale vetëm sa për t’i filluar procedurat. E kemi pasur një rast në një komunë ku hiç më pak se 30 projekte kanë qenë buxhetim komunal me vlera nën 30 mijë euro. Këto lloj projekte janë elektorale, dëshirojnë që ta prekin secilin fshat, secilën lagje me një projekt dhe po fillojnë procedurat e projekti asnjëherë nuk po kryhet si duhet. Nga kjo mënyrë e menaxhimit po dalin humbës të gjithë”, tha ai në “Kallxo Përnime”.

Në disa raste, institucionet nuk i respektojnë procedurat për hapjen e tenderëve. Kjo, sipas Shqipe Hotit, eksperte e prokurimit në Organin Shqyrtues të Prokurimit, përbën shkelje.

“Fillimisht për me u shpall një aktivitet i prokurimit duhet me qenë i planifikuar dhe duhet të jetë saktësisht vlera e parashikuar e atij projekti. Ka raste kur institucionet i bien pishman për disa projekte të prokurimit, gjë që është shkelje procedurale sipas legjislacionit sepse nuk kanë të drejtë në atë fazë ta bëjnë anulimin e një aktiviteti të prokurimit”, tha ajo.

Në anën tjetër, Diana Metushi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se kjo formë e prokurimit po vërehet edhe këtë vit pasi në vend mbahen zgjedhjet lokale.

“Këtë problem e shohim kur ka zgjedhje, komunat nisin projekte të vogla. Edhe tani kjo po vërehet, edhe ato shkollat që janë ndërtuar para dy-tre viteve po inaugurohen, është kjo që quhet korrupsioni parazgjedhor”, tha ajo.