Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Shtyhet për dy vjet afati i aplikimit për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

Afati për aplikimin për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, është shtyrë edhe për dy vjet.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, afati për aplikim është shtyrë deri më 15 maj 2025.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës që aplikojnë dhe të realizojnë të drejtën e tyre të garantuar me ligj.

“Me këtë projektligj ne vazhdojmë procesin e aplikimit për statusin e viktimave të dhunës seksuale, nga këtu i bëjë thirrje për aplikim për një proces që është konfidencial”- ka thënë ai.

Shtyrja e afatit për aplikim është bërë përmes miratimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Personat e dhunuar gjatë luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Ligji ka filluar të zbarohet në vitin 2018, bazuar në ligjin në fjalë te gjithë personat që kanë pasur dhunë seksuale kanë pasur mundësi të aplikojnë deri më datën 5 shkurt të këtij viti. Megjithatë e kemi vlerësuar që ky afat të shtyhet për dy vite të tjera, më konkretisht deri më darën 15 maj 2025”- ka thënë ai.

Qëllimi i nxjerrjes i këtij ligji është përcaktimi i statusit dhe përkrahja financiare përmes pensioneve dhe beneficioneve të veçanta për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat me sakrificën dhe kontributin e tyre ishin faktorë vendimtarë për lirinë dhe çlirimin e vendit.