CoVid-19 - Të shëruar

Shtatë të shëruar nga coronavirusi sot

Numri i të shëruarve nga COVID-19 është rritur. Vetëm sot sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, shtatë persona janë shëruar.

Numri total i të shëruarve nga coronavirus ka shkuar në 928.

“Sot më 13 qershor 2020, janë shëruar 7 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 928 raste”, thuhet në njoftimin e IKSHP.

Gjithashtu IKSHP njoftoi sot se gjithsej 53 persona kanë rezultuar pozitiv me coronavirus vetëm gjatë ditës së sotme. Numra të lartë të të infektuarve me COVID-19 u panë në Prishtinë, Vushtrri e Istog.

Sipas IKSHP-së nga data 08 shkurt deri më 13 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 18.247 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.437 raste, me gjithsej 32 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.