Shqiptarët mbeten sërish të bllokuar në kufirin Shqipëri-Greqi, kolona mbi 2 km

Vijon situata e bllokimit të shqiptarëve në Kapshticë të Shqipërisë ndërmjet kufirit Shqipëri-Greqi.

Shumica e qytetarëve që ishin aty që nga orët e mëngjesit, kanë vazhduar të mbesin të bllokuar deri në mbrëmjen e sotme.

Ata nuk kanë lëvizur nga Kapshtica pasi nuk duan të humbin radhën.

Numri i shtetasve është shtuar edhe më shumë se në mëngjes, dhe radha e gjatë ka kaluar mbi 2 kilometra.

Në radhë ka edhe autobusë të linjave Shqipëri-Greqi, kurse kufiri Shqipëri-Greqi do të hapet mëngjesin e nesërm në orën 06:00.

Pala greke vazhdon të jetë e prerë me urdhrin e saj që nuk do tolerojë asnjë, vetëm duke plotësuar numrin prej 300 personash në ditë, kurse qytetarët e irrituar pasi kanë të gjithë dokumentacionin e duhur, madje atyre po u skadon test për COVID-19, dhe do të duhet të paguajnë përsëri edhe 100 euro për të ribërë testin.

Por, të njëjtit përsëri nuk e kanë të sigurt nëse do e kenë radhën apo jo. Nëse rradha do të shtohet, një pjesë mund të mbetet jashtë, pasi do të potësohej kuota./21 Media.