Vasfije Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Shpresa për rastin e Vasfije Krasniqit, Prokuroria mund ta trajtojë në kontekstin e përgjegjësisë komanduese

Prokurorja  e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ka folur për rastin e Vasfije Krasniqi-Goodman për dhunim gjatë luftës.

“Unë e kam analizuar rastin e Vasfije Krasniqit thellë, e kam nxjerrë rastin nga arkivi dhe e kam analizuar nga fillimi deri në fund. Kam kërkuar ndonjë mundësi eventuale ligjore për të kërkuar përsëritjen e procedurës apo ndonjë mundësi tjetër që të rigjykohet rasti dhe kjo nuk ka qenë e mundur, procedura në rastin e saj ka përfunduar”, ka treguar prokurorja në emisionin “Kallxo Përnime”.

Prokurorja Hajdari ka treguar se nuk kanë pasur mundësi që rastin e Vasfije Krasniqi-Goodman ta kthejnë në gjykatë, por se Prokuroria mund ta trajtojë në kontekstin e përgjegjësisë komanduese.

“S’kemi pasur asnjë mundësi në Prokurori të kërkojmë rigjykimin, mirëpo ajo çka mund të bëjë Prokuroria është që rasti i Vasfijes mund të trajtohet në kontekstin e përgjegjësisë komanduese. Edhe Vasfija është nga territori i Vushtrrisë, në territorin e Vushtrrisë janë kryer edhe disa dhunime tjera, kështu që ne do t’i grumbullojmë të gjitha këto raste dhe do t’i kërkojmë personat përgjegjës në vijën komanduese për këto ngjarje”, ka thënë Hajdari.

Tutje, prokurorja Hajdari ka thënë se nuk do të trajtohen vetëm viktimat e dhunës seksuale në territorin e Vushtrrisë por në të gjithë Kosovën.

Vasfije Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçe në prillin e vitit 1999 kur ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanoc i Ulët nga një person i uniformuar dhe ishte dhunuar seksualisht në dy lokacione të ndryshme në Babimoc, nga dy persona të ndryshëm.