Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Shkarkohet anëtarja e bordit të ndërmarrjes KOSTT

Kuvendi i Kosovës me 68 vota për asnjë kundër dhe 10 abstenime e ka shkarkuar Gjyldane Kiqmari nga pozita e anëtares së Bordit të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A.

Jeta Statovci, nënkryetare e Komisionit për Ekonomi, ka prezantuar kronologjinë deri të ky rekomandim.

Sipas saj, Kiqmari është e punësuar edhe në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në pozitën drejtore e njësisë së auditimit të brendshëm.

Statovci tha se kanë pranuar njoftim nga Agjencioni Kundër Korrupsion, për fillimin e procedurës për shqyrtimin e gjendjes konflikt interesi.

Sipas Statovcit, komisioni kërkoi nga Kiqmari se bazuar në ligjin për konflikt të interesit në ushtrimin e funksionit publik të deklaroj deri më 6 gusht 2021 se cilën pozitë do ta ushtroj, në mënyrë që të shmang situatën e konfliktit të interesit.

“Më 6.08.2021 me një email iu drejtua kryetarit të Kuvendit ku tha se do t’i ushtroj dy pozitat. Në vend se t’i ndërmerr veprimet e nevojshme për të shmang konfliktin e interesit, ajo kërkoi nga Kuvendi të caktohet kompensim për punën e saj”, tha Statovci.

Shkarkimi i Kiqmarit u përkrah edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës abstenuan.