Shitoret nëpër fshatra si memorie kolektive 

Shitoret nëpër fshatrat e Kosovës përveç blerjes së gjësendeve ushqimore, kanë shërbyer për banorët edhe si vendtakim për tu socializuar dhe ndarë historitë e tyre për dekada tëra.

Një bidon uji dhe disa pako detergjentesh rrobash Daut Suka i kishte vendosur jashtë shitores së tij në Banjë të Malishevës si shenjë për të treguar se ajo ishte e hapur.

Ndërkohë brenda, që atë e kishte zënë gjumi mbështetur pranë çmimorës së duhanit. Zatën, kjo tregonte se në dyqanin e tij jo më shumë se 20 metra katrorë kishte kohë pa hyrë njeri.

Shitorja e cila ishte hapur në vitin 1984, për 57 vjeçarin tashmë mbetet më shumë si kujtim i së kaluarës sesa mundësi ekonomike. Vitet para dhe pas luftës, Sukës i sjellin kujtime të shumta në dyqanin e tij, i cili ishte i pari i hapur në këtë fshat dhe prej të rrallëve në gjithë komunën e Malishevës.

‘‘Kur e kam hapë këtë shitore, ka pas punë shumë. Mezi prisja me u bo ora 12 e drekës me shku me pushu veç pak’’, thotë Suka.

Përveç shitjes që bënte, dyqani i tij kishte shërbyer edhe si vendtakim për banorët e fshatit dhe përtej. Suka me nostalgji kujton kujton kohën kur kategori e mosha të ndryshme mblidheshin brenda dhe para shitorës së tij.

‘‘Më kujtohet kanë nejtë shumë pensionistat, pinin Jupi të Suharekës dhe lëngje të Erenikit të Gjakovës, kush i mban mend. Pastaj mësuesit pas mësimit vinin rregullisht këtu, shumë prej tyre pinin birra’’, thotë ai. ‘‘E pritsha kohën kur e krynin punën punëtorët e ish-Vreshtarisë ‘‘Mirusha’’, plotë prej tyre vinin’’.

Suka thotë që në atë kohë, pronësia e shitores ka qenë edhe njëfarë privilegji në rrethin e tij.

‘‘Si në rreth, në shoqëri, në fshatra, besa edhe në fshatra përreth ke qenë dikushi [me pasë shgitore]. Unë kam pasë klientë edhe nga komunat tjera’’, tregon ai, i cili thotë se nuk e ka ndërmend ta mbyll dyqanin. të cilit renovimin e fundit ia kishtë bërë në vitin 1990.

Ai kujton se shitorja i bashkonte njerëzit në vitet e errëta që kalonte Kosova para luftës.

‘‘Ka qenë një afërsie çuditshme mes njerzve kur e krahason me tash. Ndoshta që kemi qenë nën okupatorin edhe jemi kanë ma afër me njani – tjetrin a nuk e di! E mu qikjo dugojë ma jep qat kujtimin e afërsisë mes njerzve.”

Kujtime të ngjashme të viteve të 1990-ta ka edhe Zeqir Gashi nga Bajqina e Podujevës. Në vitin 1997 ai kishte hapur dyqanin e tij pasi në vitin 1990 ishte larguar dhunshëm nga puna ku punonte si depoist në një nga Koperativat Bujqësore të ish-Jugosllavisë.

Ne dyqanin e tij në të cilin mund të gjenden shumë artikuj të vjetër, si llampa vajguri, Gashi rrëfen se si këto llamba i kujtojnë mbledhitë e njerzve deri në orët e vona të natës dhe birrat e shumtë që shiste.

‘‘Birra k’tu u shërby shumë, deri në ora 12 e ora 1 pas mesnate rrinin njerëzit. Biles edhe disa vite pas luftës ka qenë njejtë. U nalke rryma shpesh, rrinim me qirinj deri vonë’’, thotë ai. ‘‘E kanë gjetë knaqësinë njerzit k’tu bre, se nuk ka pasë shumë vend ku me dal. Këndej u zhvillu jeta,” rrëfen ai.

Përderisa shitja që tashmë bën në dyqanin e tij është shumë modeste, Gashi thotë që në atë kohë, e veçmas në fundviteve 90’ kur situata në Kosovë veçse kishte filluar të përkeqësohej për shkak të intensifikimit të dhunës ndaj shqiptarëve nga paratio shtetëror serb, shitorja kishte shërbyer edhe si vend ku shkëmbeheshin informatat dhe kuptohej shumë shpejt çkado që ndodhte në fshat e përreth.

‘‘K’tu janë bajtë fjalët. Qysh thojnë me ni fjalë; ‘‘Në mulli dhe në dugajë e ki marr vesh krejt çka po ndodhë vaki’’, thotë 58 vjeçari.

“Një vend për të qeshur e sharë më lehtë”

Bashkim Kabashi nga fshati Krushicë e Ulët e komunës së Suharekës është një tjetër shitës dhe ka një shitore edhe më të vogël se sa të Zeqirit, të cilin familja e tij e kishin hapur në vitin 2001 kur Bashkimi kishte 16 vjet dhe kishte filluar të shiste.

Për të, shitorja me rafte të drurit ka shumë domethënie dhe kujtesë të veçantë.

‘‘I ka mledhë katunin kjo shitore edhe secili ka kujtime, jo veç unë. Adoleshencën e rininë e kam kalu qitu, tu nejt me plotë gjenerata’’, thotë Gashi.

Ai po ashtu mendon se shitoret e tilla kanë shërby si hapësirë ku njerëzit e kanë gjetur kënaqësinë dhe argëtimin.

Mirëpo, siç Bashkimi përpiqet të shpjegojë, deri vonë shitorja ka qenë edhe cak i paragjykimeve dhe i stigmatizimit në fshat, dhe si pasojë, pjesa brenda dyqanit ku ai kishte vendosur dy tavolina të vogla për t’i shërbyer ata që pinin, ishte më e errët dhe shkëputur nga pjesa ku banorët blenin ushqimet.

Ndërsa, si një ambient ku përgjithësisht frekuentohej nga burrat, Bashkimi thotë që njerëzit këtu ndiheshin më lirshëm edhe për biseda që ishin më intime.

‘‘Përshembull k’tu ke ngu lloj-lloj biseda. U fol ma lehtë, u sha ma lehtë (qesh) e qishtu, a po kutpon?’’, pyet retorikisht ai.

Kabashi thotë që gjatë stinës së dimrit, kur njerëzit kryesisht me pak punojnë dhe meqenëse fshati ndodhet rreth 15 kilometra larg qytetit të Suharekës, fshatarët ende mblidhen në shitoren e tij.

‘‘Jo si përpara, por dimrit hala tubohemi. Biles k’ta diaspora pa më vizitu nuk e lajnë, se thojnë ‘qitu jena rritë’’’, tregon ai.

Qendrat e mëdha tregtare po i ngulfasin shitore e vogla

Sipër fshatit Bajqinë ku ka dyqanin Zeqir Gashi, është fshati Metehi me rreth 200 shtëpi, i cili ka vetëm dy dyqane të vogla. Njëri prej tyre është i Behram Halitit, të cilin 69 vjeçari e kishte hapur menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

‘‘Deri n’kysmet’’, thotë Haliti kur pyetet se a po mendon ta mbyll dyqanin në të cilin shet djali i tij, meqenëse ai ishtë rënduar nga shëndeti, mirëpo dyqani i tij i vogël atij i jep shumë kujtime të viteve më herët, kur shumë njerëz mblidheshin e ndanin historitë e tyre.

Kurse hapja e vazhdueshme qendrave të mëdha në Podujevë janë arsyeja pse ai një ditë mund ta mbyll dyqanin modest në të cilin thotë që ka shumë përjetime.

‘‘Përpara kanë nejtë shumë fshatarët, qitu e kanë kalu kohën. Çdo vakt ka pasë njerëz, kanë bisedu e i kanë ça hallet kretj qitu. Ka pasë edhe rini ma shumë. U mledhshin edhe pas darke, pijshin, rregullisht ka pasë njerëz, ka pasë gjallëri fshati. Tash nifarë qetësie që t’mundon’’, thotë Haliti.

Hall të njejtë ka edhe Daut Suka, i cili, edhepse thotë se nuk e ka ndërmend ta mbyll dyqanin, porse hapja e hovshme e qendrave tregtare ia pamundëson që të mund të jetoj vetëm prej të ardhurave nga që ofron shitorja e tij.

‘‘Nuk ka ku shkon ma shumë dëmi që na kanë bo shitoret e mëdha. Por i kam mbush disa vite e tash po vazhdoj me kalu edhe kohën këtu, s’kam ka me ia mbajtë’’, thotë dëshpërushëm 57 vjeçari.

E pikërisht ky trend e ka zmbrapsur edhe Bashkim Sukën nga dëshira e tij e vitit të kaluar për të renovuar dhe për ta zgjeruar dyqanin e tij, prej tç cilit furnizohen me ushqime shumë se 30 shtëpi.

Nga shitja duhanit dhe birrave thotë se fiton diç më shumë, njejtë sikurse Zeqir Gashi, i cili detyrohet të bënë edhe punë të tjera për të siguruar të ardhura për ta mbyll muajin bashkë me familjen e tij.

‘‘A po e sheh, që dy orë jemi këtu, askush nuk hyni në shitore’’, përfundon llapjani.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Prishtina Insight në anglisht.