Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shefi i NATO-s përshëndet marrëveshjen për lëvizje të lirë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka përshëndetur marrëveshjen për lëvizje të lirë mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Stoltenberg ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të gjitha çështjet t’i zgjidhin përmes dialogut politik.

Po ashtu, Stoltenberg ka njoftuar se NATO/KFOR mbetet vigjilent.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar dje se është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- ka shkruar Borrell në Twitter.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Borrell ka thënë se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.