SHBA, Ukraina - Foto: Presidenca ukrainase/ ueb-faqja zyrtare

SHBA u ofron më shumë mbrojtje ligjore refugjatëve ukrainas

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka njoftuar më 18 gusht për një zgjerim të madh të statusit ligjor për qëndrim të përkohshëm të ukrainasve që veçse po jetojnë në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë ikur pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Ky vendim pritet që t’iu mundësojë 166.700 ukrainase të fitojnë Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme, nga 26.000 sa janë gjithsej, tha Departamenti i Brendshëm. Për t’u kualifikuar për këtë status, ukrainasit duhet që të dëshmojnë se kanë qenë në SHBA deri më 16 gusht, dy ditë para këtij njoftimi. Ky vendim mundëson që ata të marrin autorizim për të punuar në SHBA.

Statusi i përkohshëm fillimisht ishte paraparë të ishte në fuqi deri më 19 tetor, 2023, por është zgjatur për 18 muaj, përkatësisht deri më 19 prill 2025.

“Pushtimi rus i Ukrainës që po vazhdon dhe kriza humanitare që u shkaktua prej tij kërkon që SHBA-ja të vazhdojë të ofrojë mbrojtje dhe siguri për ukrainasit të cilët nuk mund të kthehen në shtetin e tyre”, tha sekretari amerikan i Brendshëm, Alejandro Mayorkas.

Të premten, SHBA-ja po ashtu zgjeroi Statusin për Mbrojtje të Përkohshme edhe për sudanezët, që kanë qenë në SHBA deri më 16 prill. Uashingtoni tha se përleshjet e prillit në Sudan kanë nxitur paqëndrueshmëri.

Vlerësohet se edhe 2.750 sudanezë do të mund të përfitojnë këtë status, duke çuar në 3.950 numrin e përgjithshëm të shtetasve të Sudanit që përfitojnë nga ky status.

Ndryshe, imigrantët ukrainas janë të vendosur në mbarë SHBA-në, dhe numri më i madh i tyre janë vendosur në zonat metropolitane të Nju Jorkut, Çikagos, Siatëllit, Sakramentos dhe Kalifornisë./ REL