SHBA thotë se do të rikthehet në UNESCO

UNESCO njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara planifikojnë t’i bashkohen agjencisë kulturore dhe shkencore të OKB-së. Shtetet e Bashkuara do të paguajnë më shumë se 600 milionë dollarë detyrime të prapambetura, pas një mosmarrëveshjeje dhjetëvjeçare të shkaktuar nga vendimi i UNESCO-s për ta anëtarësuar autoritetin palestinez në këtë organizatë.

Zyrtarët amerikanë thonë se vendimi për t’u kthyer ishte i motivuar nga shqetësimet se Kina po mbush boshllëkun e lënë nga SHBA-të në politikëbërjen e UNESCO-s, veçanërisht në vendosjen e standardeve për inteligjencën artificiale dhe arsimimin teknologjik në mbarë botën.

Rikthimi do të kalojë përmes një prosesi votimi nga shtetet anëtare të UNESCO-s në javët e ardhshme. Por votimi duket të jetë vetëm një formalitet pas duartrokitjeve të forta që përshëndetën njoftimin në selinë e UNESCO-s në Paris të hënën. Asnjë vend nuk shprehu kundërshtime për rikthimin e një vendi që dikur ishte financuesi i vetëm më i madh i agjencisë.

SHBA-të dhe Izraeli ndaluan financimin e UNESCO-s pasi agjencia votoi për përfshirjen e autoritetit palestinez si shtet anëtar në vitin 2011. Administrata e Presidentit Trump vendosi në vitin 2017 që të tërhiqej plotësisht nga agjencia një vit më pas, duke përmendur qëndrimet e njëanshme kundër Izraelit për një kohë të gjatë dhe problemet e menaxhimit.

Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, ka punuar për t’i trajtuar këto shqetësime që nga zgjedhja e saj në vitin 2017, dhe kjo duket se ka dhënë rezultat.

“Është një moment historik për UNESCO-n”, tha ajo të hënën. “Është gjithashtu një ditë e rëndësishme për multilateralizmin”.

Zëvendës Sekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, i dërgoi një letër zonjës Azoulay javën e kaluar, duke zyrtarizuar planin për t’u ribashkuar. Ai vuri në dukje përparimet në depolitizimin e debatit rreth Lindjes së Mesme dhe reformimin e menaxhimit të agjencisë, sipas letrës një kopje të së cilës arriti ta marrë agjencia e lajmeve Associated Press.

Vendimi është një nxitje e madhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), e njohur për programin e saj të Trashëgimisë Botërore, si dhe për projektet për të luftuar ndryshimet klimatike dhe arsimimin e vajzave.

Ndërsa anëtarësimi i palestinezëve në UNESCO ishte shkas për mosmarrëveshjen e SHBA-ve me agjencinë, rikthimi i Uashingtonit ka të bëjë më shumë me ndikimin në rritje të Kinës.

Nënsekretari i Shtetit për Menaxhimin, John Bass tha në mars se mungesa e SHBA-ve në UNESCO e kishte forcuar Kinën dhe “nënvlerëson aftësinë tonë për të qenë po aq efikasë në promovimin e vizionit tonë për një botë të lirë”.

Ai tha se UNESCO kishte një rol kyç në vendosjen dhe formësimin e standardeve për teknologjinë dhe mësimin e shkencës në mbarë botën, “kështu që nëse jemi vërtet seriozë për konkurrencën e epokës dixhitale me Kinën … nuk mund të mungojmë më”.

Vendimi amerikan nuk e trajton çështjen e statusit palestinez. Ndërsa janë anëtarë të UNESCO-s, palestinezët janë më larg se kurrë nga arritja e pavarësisë.

Ka mbi dhjetë vite që nuk ka patur bisedime serizoze për paqen, ndërkohë që në qeverinë e re izraelite ka shumë politikanë të vijës së ashpër që kundërshtojnë pavarësinë palestineze.

Ambasadori palestinez në UNESCO nuk e komentoi vendimin e SHBA-ve. I dërguari i vetëm që nuk e përshëndeti me nota të larta rikthimin amerikan ishte ambasadori i Kinës, Jin Yang. Ai vuri në dukje ndikimin negativ të mungesës së SHBA-së dhe shprehu shpresën që vendimi amerikan të tregojë se Uashingtoni është serioz në lidhje me multilateralizmin.

“Të jesh anëtar i një organizate ndërkombëtare është një çështje serioze dhe ne shpresojmë që kthimi i SHBA-së kësaj radhe do të thotë se e njeh misionin dhe qëllimet e organizatës”, tha ambasadori.

Drejtoresha e UNESCO-s, zonja Azoulay, e cila është hebreje, mori vlerësime të gjera për përpjekjet e saj personale për të krijuar konsensus midis diplomatëve jordanezë, palestinezë dhe izraelitë rreth rezolutave të rëndësishme të UNESCO-s. Ajo u takua me demokratët dhe republikanët në Kongresin amerikan për t’i shpjeguar ato përpjekje.

Falë negociatave dypartiake, ajo shprehu besimin se vendimi i SHBA-së për t’u rikthyer është afatgjatë, pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

“Ajo që ka ndodhur gjatë viteve të fundit do të thotë se UNESCO ka rëndësi”, tha ajo. “Dhe kur mungon… humbet diçka. Humb diçka lidhur me ndikimin tënd në botë, por edhe për interesin tënd kombëtar”.

Sipas planit, qeveria amerikane do të paguajë detyrimet e saj për vitin 2023 plus 10 milionë dollarë kontribute këtë vit të destinuara për shtuar ndërgjegjësimin për Holokaustin, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Ukrainë, sigurinë e gazetarëve dhe edukimin shkencor dhe teknologjik në Afrikë, thuhet në letrën e zotit Verma.

Administrata e Presidentit Biden ka kërkuar 150 milionë dollarë nga buxheti i vitit 2024 për të mbuluar detyrimet ndaj UNESCO-s. Plani parashikon kërkesa të ngjashme për vitet në vijim derisa të shlyhet borxhi i plotë prej 619 milionë dollarësh.

Shuma përbën një pjesë të madhe të buxhetit operativ vjetor prej 534 milionë dollarësh të UNESCO-s. Përpara largimit, SHBA-të kontribuonin rreth 22% të financimit të përgjithshëm të agjencisë.

Një diplomat i UNESCO-s shprehu shpresën se kthimi i SHBA-së do të sillte “më shumë ambicie dhe më shumë qetësi” – dhe do të aktivizonte programet për administrimin e inteligjencës artificiale, shkollimin e vajzave në Afganistan dhe të hulumtojë lidhur me viktimat e skllavërisë në Karaibe.

Diplomati tha se agjencia gjithashtu do ta “mirëpresë” Izraelin nëse dëshiron të rikthehet. Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka patur komente nga qeveria izraelite.

Palestinezët kanë pretendime territoriale mbi Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës – territore të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967 – për një shtet të pavarur.

Izraeli thotë se përpjekjet e palestinezëve për të fituar njohjen në OKB kanë për qëllim anashkalimin e një zgjidhjeje të negociuar dhe synojnë të ushtrojnë trysni ndaj Izraelit për të marrë lëshime.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga UNESCO-ja gjatë administratës së Presidentit Regan në vitin 1984, sepse e shihnin agjencinë si të keqmenaxhuar, të korruptuar dhe të përdorur për të mbështetur interesat sovjetike. Amerika u rikthye në UNESCO në vitin 2003./VOA