Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria në qendrën për të huajt në fshatin Vranidoll. Foto nga arkivi.

Sfidë e komunave në ri-integrimin e të kthyerve nga zonat e luftës, mungesa e resurseve e trajnimi i stafit

Edhe vendi ynë si shumë shtete të tjera është përballur me sfida sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në konfliktet e huaja. Një hulumtim i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë tregon se 37 për qind e qytetarëve  i shohin qytetarët që janë kthyer në Kosovë nga zonat e luftës në Siri dhe Irak si kërcënim për vendin.

Përpos paragjykimeve, të kthyerit janë përballur edhe më mungesë të përkujdesjes. Shumica e komunave në vend kanë mungesë të resurseve humane që do të duhej të merreshin me ri-integrimin e tyre. Madje shumë zyrtarë komunal të Qendrave për Punë Sociale që janë marrë me këtë kategori nuk kanë pasur ndonjë trajnim të veçantë për këtë çështje.

Në kryeqytet, Komunën e Gjilanit, Ferizajt e Vitisë kanë treguar se kanë mungesë të resurseve si humane, financiare ashtu edhe logjistike. Sipas zyrtarëve të QPS-ve në katër komunat e lartcekura edhe pse këto institucione kanë rolin kryesor në nivelin lokal për përkujdesjen e të gjitha kategorive të qytetarëve në nevojë, e në rastin konkret edhe me përkujdesjen për personat e kthyer nga zonat e luftës, mungesa e resurseve ka bërë që ata të mos e kryejnë punën ashtu siç duhet.

Një zyrtar komunal në këto komuna i bie që të merret me më shumë se 100 lëndë në ditë.

“Mungesa më e madhe vërehet te mungesa e psikologëve, mirëpo për këto raste mbesim në bashkërendim të aktiviteteve me partnerët tanë ku i angazhojmë për punë. QPS- të duhet ti rrisin kapacitetet e tyre në vazhdimësi, pasi që edhe numri i rasteve po shtohet për çdo ditë. Në Komunën e Prishtinës bazuar në të dhënat aktuale një zyrtarë i shërbimeve sociale ka përgjegjësi për rreth 15 000 banorë, përderisa numri i lëndëve aktive varijon ku një punëtor mund të ketë prej 200 deri 300 lëndë aktive, që është jashtë çdo standardi” – ka thënë drejtori i QPS-së në Prishtinë.

Por krahasuar me kryeqytetin, në Komunën e Gjilanit kanë thënë se kanë angazhuar një psikologe e cila merret ekskluzivisht vetëm më çështjen e të kthyerve nga zonat e luftës.

“QPS në Gjilan për momentin i ka 5 zyrtarë profesional dhe mesatarisht secilit zyrtar i bie të ketë nga 20.000 banorë për një punëtor social. Kjo i bie se kemi katërfish më shumë palë se sa do të duhej të kemi”, ka thënë Mursel Zymberi, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan.

Sipas U.D. drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi Braha, për mbi 100 mijë banorë përkujdesen vetëm 9 punëtorë, disa prej të cilëve shumë shpejt do të pensionohen.

“Aktualisht në QPS Ferizaj janë gjashtë punëtorë të sherbimeve sociale, tre punëtorë janë në asistencë sociale, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2011, Ferizaj si komunë ka 108.610 banorë” – ka thënë Rexhepi Braha.

E në Komunën e Vitisë vetëm një zyrtar është marrë me çështjen e të kthyerve nga zonat e luftës. Drejtori i QPS-së në këtë komunë, Demush Mehmeti, ka deklaruar se më gjithë vështirësitë që kanë, ata janë munduar që të bëjnë më të mirën.

“Ne si Komunë kemi vetëm katër zyrtarë komunal të cilët duhet të kujdesen për 46.987 banorët sa ka komuna jonë. Kjo i bie që një zyrtar i QPS-së në komunë tonë të merret me gati 12 mijë banorë” – ka theksuar Mehmeti.

Trajnimi i zyrtarëve të QPS-ve që  u morën më të kthyerit nga zonat e luftës

Një ndër problemet që kanë pasur komuna përveç mungesës së resurseve njerëzore është edhe mungesa e trajnimeve të veçanta të zyrtarëve komunal që janë marrë specifikisht me të kthyerit.

“Ekipi i QPS-së ka qenë i trajnuar dhe përgatitur relativisht mirë në trajtimin e  rasteve, pasi që një numër i caktuar i punëtorëve është angazhuar për punën me të riatdhesuarit e jo të gjithë. Mirëpo trajnimet dhe ngritja e kapaciteteve është e domosdoshme për të gjithë stafin në të ardhmen, për çka e kemi edhe ne prioritet” – thekson ka thënë drejtori i QPS-së në Prishtinë, Vebi Mjeku.

Trajnim të veçantë për këtë çështje nuk kanë pasur zyrtarët në Komunën e Gjilanit. Drejtori i QPS-së në këtë komunë, Mursel Zymberi, thotë se vetëm ai ka pasur trajnim.

“Përveç meje si drejtor i QPS-së që kam të kryer trajnimin ngase jam edhe pjesë e mekanizmit për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, i cili mekanizëm është i vetëm në mbarë vendin e që vepron edhe në Gjilan, psikologia e cila i ka përvojat e saja të punës, askush nga punëtorët e tjerë nuk ka të kryer ndonjë trajnim të posaçëm për tu marre me këtë kategori” – thekson ai.

Me të njëjtin problem kanë pohuar se janë ballafaquar edhe në Komunën e Ferizajit dhe atë të Vitisë. Thonë se ka pasur disa trajnime të këtyre zyrtarëve por që nuk mjafton, pasi theksojnë se kjo është kategori e ndjeshme.  “Po ka pas trajnime edhe nga zyrtarët e MPB edhe nga zyrtarët e MFPT, por edhe nga OJQ të ndryshme përmes angazhimit të ekspertëve të ndryshëm lokal dhe ndërkombëtar. Por trajnime duhet të mbahen edhe me tutje” – ka thënë Demush Mehmeti.

Nga mbi 400 qytetarë të Kosovës që iu bashkuan grupeve terroriste në konfliktin sirian, mbi 250 prej tyre janë riatdhesuar në Kosovë. Prej tyre rreth 30 persona përfshirë fëmijë e të rritur janë në kryeqytet, 7 janë në komunën e Ferizajt dhe 28 persona në atë të Gjilanit.

“Në komunën tonë kemi dy vajza jetime, të cilat i kemi vendos në strehim tek të afërmit e tyre. Atyre ne si komunë ju kemi caktuar edhe kujdestar ligjor. Po ashtu ju kemi caktuar një pagë nga 100 euro për secilin fëmijë. Po ashtu në komunën tonë është edhe një nënë vetushqyese me katër fëmijë të cilët po ashtu janë duke shfrytëzuar asistencën sociale” – ka thënë U.D. e Drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Adelina Rexhepi Braha.

Në të gjitha këto komuna kanë thënë se takimet më  QPM-të  janë në baza të rregullta dhe pothuajse shumica e aktiviteteve bëhen në bashkërendim dhe bashkëveprim. Theksojnë se kjo është forma e vetme për të arritur sukses. Edhe në QKSS theksojnë se hulumtimet e tyre tregojnë se rezultatet më të mira në këtë fushë vijnë edhe falë angazhimit të komunitetit, si akterë parësor në përpjekjet e institucioneve për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit.

Hulumtuesi i lartë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, Skënder Perteshi, thotë se problemi i zyrtarëve të QPS-ve nuk është vetëm trajnimi i tyre jo i duhet. Ai thekson se shumica prej tyre nuk kanë bërë trajnime të duhura. Shton se trajnimet e tyre do të duhej të bëheshin se si duhet të trajtohet një viktimë.

“Zyrtarët e QSP-ve më shumë janë si një lloj prokurori e me së paku janë zyrtarë për këtë çështje…Shumica prej tyre janë të shtyrë në moshë edhe shpeshherë ata nuk e kuptojnë se çka e shkakton këtë fenomen që ne po flasim… Mendësia e kultura e tyre nuk pajtohen me arsyet që i ka shtyrë këta qytetarë të shkojnë në këto luftëra… Ka raste të rralla që munden të pajtohen me këtë. Po trajnime serioze nuk ka pasur. Por as nuk ka pasur dikush që i ka trajnuar ata se sa ka pasur impakt ai trajnim” -ka thënë Perteshi.

Sipas tij, këta zyrtarë nuk është që janë marrë shumë me të kthyerit, pasi QPS-të janë linja (hallka) e tretë që merren me të kthyerit. Pohon se edhe mungesa e resurseve nuk ka paraqitur ndonjë problem, pasi ata janë marrë vetëm me rastet kur p.sh. ndonjë prej të kthyerve ka shkuar për të aplikuar për ndihmë sociale, asgjë më shumë.