Sëmuret i akuzuari, dështon seanca për keqpërdorim detyre

Inspektori i Komunës së Shtimes, Taulant Salihaj,  i akuzuar për keqpërdorim të detyrës nuk erdhi sot në Gjykatë.

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Ferizajt  ka dështuar për shkak se i akuzuari është sëmurë.

Avokatja e të akuzuarit, Teuta Qaushi, njoftoi se në zyre të saj kishte ardhur babai i të akuzuarit për të njoftuar se djali i tij është me tension të lartë.

Avokatja ia ofroi trupit gjykues raportet mjekësore të cilat i ka marrë nga prindi i të akuzuarit.

Më pas, kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi e shty seancën e sotme për datën 30 tetor.

Taulant Salihaj akuzohet nga prokuroria se në muajin shtator 2017 dhe në muajin prill 2018 në Shtime, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor ndërtimor në Komunën e Shtimes ka shfrytëzuar detyrën zyrtare duke ia shkelur seriozisht të drejtën e personit tjetër tani të dëmtuarit Haxhi Shabani.

Sipas aktakuzë, Salihaj nga i dëmtuari fillimisht merr shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së parë si dhe 580 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së dytë , me qëllim që t’i rregullojë dokumentet ndërtimore ndërsa e lejon që t’i ndërtojë dy shtëpi pa i pajisur me leje duke mos i përmbush detyrat e tij zyrtare dhe pse detyra e tij ishte për t’i ndaluar ndërtimet pa leje.

Me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 1 mijë e 80 euro.