Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Samiti i BE-së në Tiranë, Policia ka marrë masat për garantimin e rendit publik

Policia e Shtetit në Shqipëri ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit publik gjatë Samitit të Bashkim Evropian që do të mbahet me 6 dhjetor në Tiranë.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

“Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, pune e aktiviteti të përditshëm, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve në disa akse rrugore, për të cilat Policia e Shtetit ka marrë masa për devijimin e lëvizjeve në rrugë alternative.

Tutje ka shtuar se Policia e Shtetit nuk e ndalon protestën e paralajmëruar të opozitës.

“Policia e shtetit nuk e ndalon protestën por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar”- ka shtuar ai.

Të martën, me 6 dhjetor, Tirana do të jetë nikoqirja e dhjetëra shteteve të BE-së të cilat do të marrin pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.