Rusia dhe Ukraina dakordohen që t'i vazhdojnë bisedimet për armëpushim

Negociatorët rusë dhe ukrainas janë dakorduar që një armëpushim i përhershëm në Ukrainën lindore duhet të respektohet “pa kushte” pas bisedimeve disa orëshe në Paris të mërkurën.

Ky njoftim erdhi pas një takimi në Pallatin Elysee të të ashtuquajturit Formati i Normandisë – një bisedë katërpalëshe midis përfaqësuesve nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca – që është përpjekur të ndërmjetësojë paqen në Ukrainën lindore që nga viti 2014.

Tensionet midis Moskës dhe Kievit janë në nivelin më të lartë në vite, me një trup të madh forcash ruse të grumbulluar pranë kufijve të përbashkët të dy ish-republikave sovjetike – duke nxitur frikën se Rusia mund ta fillojë një pushtim të Ukrainës në çdo moment.

Duke folur pas takimit të së mërkurës, kryenegociatori i Moskës Dmitry Kozak tha se armëpushimi duhet të respektohet “pa kushte”, por se shumë çështje të tjera në Ukrainën lindore mbeten ende të pazgjidhura.

Zyrtarët perëndimorë po vazhdojnë ta shtyjnë përpara një zgjidhje diplomatike të tensioneve përmes zbatimit të plotë të marrëveshjeve të Minskut – një protokoll armëpushimi i nënshkruar nga Ukraina dhe Rusia në 2015.

“Ne ramë dakord që pavarësisht mospërputhjeve të ndryshme të marrëveshjeve të Minskut që ekzistojnë midis Ukrainës dhe rajoneve Donetsk dhe Luhansk, armëpushimi në Donbas duhet të respektohet pa kushte,” tha Kozak.

Ai shtoi se “detyrimi” për të zbatuar marrëveshje të tilla “është me forcat e armatosura të Ukrainës dhe formacionet e armatosura të (separatistëve lindorë) të Republikës Popullore të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luhanskut”.

Negociatori ukrainas Andriy Yermak tha se të gjitha palët ishin në përkrahje të një armëpushimi të përhershëm dhe Ukraina ishte e gatshme të negocionte gjatë gjithë kohës për ta parandaluar luftën dhe për t’i de-përshkallëzuar tensionet rreth kufiri ruso-ukrainas.

Kozak dhe Yermak thanë se bisedimet do të rifillojnë pas rreth dy javësh në Berlin./CNN