Rohde: Shpronësimi në veri s’u bë në përputhje me ligjin sipas juristëve të KiE

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha të martën vonë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për finalizimin e shpronësimit të mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, nuk u bë në përputhje me ligjin sipas një raporti të juristëve eminentë të Këshillit të Evropës (KiE).

“Pas reagimit të Qeverisë [së Kosovës] ndaj deklaratës së QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së për shpronësimin, më lejoni ta citoj raportin e juristëve eminentë të KiE-së: ‘Kjo mënyrë e veprimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe me gjasë do ta minojë edhe më shumë besimin mes komunitetit serb dhe institucioneve qeveritare të Kosovës”, shkroi Rohde në rrjetin social X.

Më 5 qershorRadio Evropa e Lirë raportoi për vendimin përfundimtar të Qeverisë kosovare për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok, i cili përjashton disa parcela private, por vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë.

Ky vendim u kritikua nga vendet e QUINT-it, Bashkimi Evropian (BE) dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë (OSBE).

QUINT-i, BE-ja dhe OSBE-ja thanë se “përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.

Në një përgjigje ndaj tyre më 6 qershor, Qeveria e Kosovës tha se deklarata e tyre e përbashkët “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”, dhe se Qeveria e kishte pritur vendimmarrjen e gjykatave para se të vazhdonte me vendimin përfundimtar.

Rohde tha se Kosova, e cila synon t’iu bashkohet organizatave si BE, OSBE dhe KiE, duhet t’i marrë parasysh këshillat e tyre.

“Ne nuk jemi këtu për të ndëshkuar, por për të mbështetur”, shkroi Rohde.

Gjykata e Apelit e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë më 5 qershor se shqyrtimi i një vendimi të Gjykatës Themelore lidhur me këtë çështje është ende në vazhdim.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte refuzuar shumicën e padive të qytetarëve serbë, të cilët paditën Qeverinë e Kosovës dhe kërkuan të “vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”./REL