Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, 18 janar 2022, Foto: Facebook

Roberta Metsola zgjedhet presidente e re e Parlamentit Evropian

 

Roberta Metsola, eurodeputetja malteze e njohur për pikëpamjet e saj kundër abortit, është zgjedhur si pasuese e David Sassoli, në postin e presidentes së Parlamentit Evropian, duke u bërë gruaja e tretë që zë një post të lartë, shkruan Euronews.

“Evropa është kthyer. Evropa është e ardhmja. Vive l’Europe”, deklaroi ajo në fjalimin e saj të parë si presidente.

Metsola, anëtare e Partisë Popullore Evropiane ekrahut të qendrës (EPP), ishte midis katër kandidatëve për këtë pozicion, së bashku me Sira Rego të Spanjës (radikalja e majtë), Kosma Zlotoëski e Polonisë (ECR, Euroskeptikët) dhe Alice Bah Kuhnke e Suedisë (të Gjelbërit).

Zlotoëski u largua nga gara përpara se të fillonte votimi, duke i hapur rrugën Metsolas për të grumbulluar mbështetje nga të gjitha partitë e qendrës dhe konservatore. Maltezja mori 458 vota pro, ndërsa Bah Kuhnke dhe Rego mbetën prapa, përkatësisht me 101 dhe 57 vota.

Sassoli vdiq më 11 janar dhe mandati i tij ishte planifikuar të përfundonte këtë javë.

Metsola është eurodeputete që nga viti 2013 dhe nënkryetare e Parlamentit që nga viti 2020. Ligjvënësja konservatore së fundmi fitoi popullaritet duke e marrë detyrën nga Sassoli, i cili mungoi në sallë për disa javë për shkak të sëmundjes.

Nëna e katër fëmijëve ka tërhequr gjithashtu kritika nga disa prej kolegëve të saj për pikëpamjet e saj kundër abortit, të cilat mbahen gjerësisht në Maltë, vendi i fundit i BE-së ku aborti është ende plotësisht i paligjshëm. Metsola, ashtu sikurse të gjithë eurodeputetët e tjerë maltezë, voton vazhdimisht kundër ose abstenon në rezolutat që njohin abortin si një të drejtë të njeriut.

E vetëdijshme për rezervat që ka ngjallur për këtë çështje, ajo siguroi se nëse zgjidhet, “detyra e saj do të jetë ta përfaqësojë qëndrimin e Parlamentit Evropian”, duke përfshirë edhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese.

Përtej këtij pozicioni të veçantë, Metsola është avokate e fortë për të drejtat e grave dhe komunitetin LGBTQ+. Si një eurodeputete e cila vjen nga një shtet bregdetar, ajo ka qenë thellësisht e përfshirë në çështjet e migracionit. Ajo beson në qasje holistike në të cilën të 27 vendet e BE-së ndajnë përgjegjësinë e flukseve migratore. Ajo ka punuar gjithashtu në dosje legjislative në lidhje me lirinë e medias – një temë personale për të pas vrasjes së gazetares malteze Daphne Caruana Galizia –, sundimin e ligjit, regresin demokratik, korrupsionin, Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe krijimin e vendeve të punës.