Festivali i shkollave shqipe. FOTO: VOA.

Rikthehet festivali i shkollave shqipe në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Kënektikat

Një ditë më parë, në Bronx të Nju Jorkut u mbajt Festivali i Gjashtë i Shkollave Shqipe, një ngjarje kulturore që rikthehet pas një ndërprerjeje disavjeçare. Nxënës të disa shkollave shqipe në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Kënektikat sollën një program të pasur kulturor. Kolegu Burim Goxhuli ndoqi aktivitetin dhe bisedoi me organizatorët, fëmijët dhe prindërit.

“Unë e kam emrin Fatmir… Unë e kam emrin Nikoleta”

Fatmir dhe Nikoleta Vuçinaj, vëlla e motër të lindur në Shtetet e Bashkuara, janë nxënës të shkollës shqipe “Children of the Eagle” në Nju Jork.

Të dielën ata u ngjitën në skenën e qendrës “Iliria” në Bronx të Nju Jorkut, ku u mbajt edicioni i gjashtë i festivalit të shkollave shqipe.

Pjesë e programit ishin edhe nxënësit e shkollës së qendrës kulturore “Struga” në Nju Xhersi, shkollës së shoqatës “Hasan Prishtina” në Kënektikët dhe shkollës “Mëso Shqip” në Stejtën Ajllënd të Nju Jorkut.

Nxënësit mirëpritën vendimin për rikthimin e festivalit, pas një ndërprerjeje disavjeçare.

“Duhet të mësojmë shqip. Kam shumë familjarë që flasin shqip. Dhe është mirë ta dimë historinë, sepse atëherë e dimë se prej nga jemi dhe kush jemi”, thotë nxënësi Luka Vuksanaj.

“Duke qenë në Amerikë, ne bashkëjetojmë me kultura të ndryshme. Në mënyrë që të mësojmë mbi kulturën tonë, na duhen organizime të tilla. Përmes këtij organizimi ne mund të mësojmë të kaluarën e prindërve tanë”, thotë nxënësja Anida Osmanaj.

“Është ndjenjë e mirë sepse mund të mësoj më shumë mbi kulturën dhe traditën time. Është shumë e rëndësishme, sepse mësoj të kaluarën e të parëve të mi”, thotë nxënësja Skyler Vladi.

“Gjithë familjen e kam atje (në Ulqin). Por kur kemi ardhur këtu kemi dashur ta vazhdojmë, që të mos harrojmë prej nga kemi ardhur”, thotë Ani Dobroqi, shqiptaro-amerikan nga Ulqini.

“Kurrë mos harroni prej nga vini. Këtë ua thash shokëve të mi. Ajo është gjithçka që na duhet. Mësojeni historinë sa më shumë që të mundeni. Unë kam lindur në Shtetet e Bashkuara, por e vizitoj vendin tim të origjinës çdo verë”, thotë Eldin Zaga, një valltar shqiptaro-amerikan.

Veprimtarja Drita Gjongecaj, një nga organizatoret e festivalit, thotë se ngjarje si kjo bëjnë që brezat e rinj të shqiptaro-amerikanëve, në të ardhmen, të shërbejnë si ambasadorë të vendeve të tyre të origjinës.

“Janë ata që do të dinë të mbrojnë interesat e kombit. Janë ata që edhe sot, ndërsa po mësojnë më shumë për historinë dhe po njihen me gjuhën dhe po krijojnë lirshmëri në përdorimin e gjuhës, duhet të jenë në gjendje të kuptojnë se çfarë po ndodhë në vendet tona”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Prindërit thonë se është emocion i veçantë të shohësh fëmijët në një organizim të tillë.

“Gjëja më e rëndësishme që e pyes gjithmonë gocën është nga je ti? Dhe gjëja e parë që thotë ajo është se jam shqiptare, por kam lindur këtu. Gjëja më e rëndësishme për mua është kultura. Nuk ka rëndësi sa vite je këtu ose nëse ke lindur këtu”, thotë Besiana Stefa.

“Halli na detyroi ta lëshojmë vendin tonë, por të paktën, fëmijët tanë të mësojnë, të dinë prej nga vijnë, mendoj se është shumë me rëndësi”, thotë Demë Hsangjekaj.

“Është e rëndësishme që këto tradita të trashëgohen. Ne u mësojmë dhe fëmijët tanë janë shumë të lumtur që janë pjesë e këtij programi”, thotë Ferzileta Gjika.

Përcjellja e gjuhës dhe kulturës nga një brez tek tjetri është i mundur, thotë aktivistja Gonxhe Meta, e cila dikur ishte nxënëse tek qendra kulturore shqiptaro-amerikane “Struga” në Nju Xhersi, e themeluar më 1978, ndërsa tani e drejton atë.

“Unë kam lindur këtu dhe kam shkuar në këtë shkollë (Qendra Kulturore Shqiptare Amerikane Struga) kur isha e vogël. Edhe fëmijët e mi kanë qenë nxënës të asaj shkolle. E kam në gjak ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare”, thotë ajo.

Suksesi i fëmijëve nuk varet vetëm nga pjesëmarrja në klasët e gjuhës shqipe, thonë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave.

“Ajo varet edhe nga prindërit, sepse duhet të punosh me fëmijët vetë. Se në një orë çfarë mund të bëj mësuesi ose mësuesja. Duhet edhe familja të punojë pak me gjuhën në shtëpi që të mund ta mbrojmë atë”, thotë Agim Ismaili nga organizata “Hasan Prishtina”.

“Unë çdo ditë mundohem t’i motivoj prindërit shqiptarë, që çdo ditë të flasin shqip në shtëpi, por gjithashtu të ndjekin kudo që të jenë shkollat apo programet në gjuhë shqipe, ose vallet dhe çdo gjë tjetër”, thotë mësuesja Life Buzhiqi.

Organizatorët e festivalit thonë se interesimi i shqiptaro-amerikanëve për të ruajtur gjuhën dhe kulturën gjithmonë ka qenë i madh. Por tani, me shtimin e organizatave dhe shkollave shqipe, janë krijuar më shumë mundësi dhe se numri i nxënësve po rritet vazhdimisht./VOA.