Rezultatet e auditimit, disa komuna nënshkruan kontrata milionëshe pa i pasur paratë e zotuara

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), më 27.06.2024 ka prezantuar rezultatet e auditimit në institucionet e nivelit qendror dhe lokal, si dhe të ndërmarrjeve publike, për vitin 2023.

Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme, bëri të ditur se janë kryer dhe publikuar gjithsejt 115 raporte të auditimit dhe në to kishte të gjetura, si për shembull, disa komuna kanë nënshkruar kontrata pa i pasur paratë e zotuara, keqklasifikime në shpenzime, vonesa në realizimin e kontratave, vonesa në pagesa si dhe parregullësi në shpërndarjen e fondeve për OJQ-të.

Sipas Spancës, nga 115 raporte të auditimit, 85 prej tyre kanë qenë për pasqyra vjetore të organizatave buxhetore, 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës.

“Nga këto auditime janë dhënë 40 opinione të kualifikuara, 63 të pamodifikuar dhe 4 opinione të kundërta. Prej 47 organizatave buxhetore të nivelit qendror kemi dhënë 36 opinione pozitive dhe 11 opinione të kualifikuara, që do të thotë se cilësia e raportimit financiar në disa aspekte nuk ka qenë e drejtë dhe e vërtetë” – ka thënë Spanca para gazetarëve.

Tutje, ajo ka bërë të ditur se janë audituar 38 komunat e Kosovës, përfshirë këtu edhe katër komunat veriore, të cilat në vitin 2022 nuk ishin audituar.

Ndaj 38 komunave të audituara, janë dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara.

“Arsyet për modifikimin e opinionit të auditimit në këto komuna janë se ato kanë keqklasifikuar shpenzimet, regjistrimet dhe raportimet e pasurive jofinanciare ishin jo të plota dhe të sakta, detyrimet të papaguara. Detyrimet kontingjente dhe llogaritë e arkëtueshme poashtu ishin të pasakta” –  tha Spanca.

Auditorja e Përgjithshme ka deklaruar se për Komunën e Prishtinës dhe të Vushtrrisë janë dhënë konkluzione të kundërta. Sipas saj, kjo është hera e parë që Zyra Kombëtare e Auditimit jep konkulzion të kundër tek organizatat buxhetore, për faktin se këto dy komuna gjatë vitit 2023 nuk kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me ligjin.

Po ashtu, Auditorja ka përmendur raste kur komunat kanë hyrë në obligime pa i pasur mjetet e zotuara, si për shembull: Komuna e Malishevës kishte hyrë në obligime për një projekt me vlerë 8.2 milionë euro me fonde të buxhetuara për tri vjet me vetëm 1.9 milion euro; Komuna e Vushtrrisë kishte hyrë në obligime kontraktuale për pesë projekte në vlerë 2.3 milionë euro pa fonde të mjaftueshme; Komuna e Ferizajt në shtatë projekte në vlerë prej 2 milionë euro kishte hyrë në obligime pa fonde të mjaftueshme.

“Hyrja në obligime e organizatave buxhetore është bërë një dukuri e shpeshtë negative e posaçërisht nga niveli lokal, lidhja e kontratave pa mjete të mjaftueshme në dispozicion, pa u paraparë në ligjin e buxhetit, marrja e buxhetit të projekteve tjera nga një kod në tjetrin, përveç që e vendosin shtetin në një pozitë të vështirë financiare, ndikojnë negativisht edhe në zbatimin e projekteve, posaçërisht atyre kapitale që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve” – ka thënë Spanca.

Tutje, ajo ka njoftuar se për herë të parë janë audituar ndërmarrje publike si Trepça, KOSTT-i dhe KRU Hidrodrini.

Bazuar në rezultatet e auditimit, ka thënë Spanca, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për gjashtë ndërmarrje publike, për katër të tjera janë dhënë opinione të kundërta, si dhe për tri të tjera opinion pozitiv.

Sipas Spancës, rezultatet e auditimit në Trepçë kanë treguar se kjo ndërmarrje ka nevojë të domosdoshme të forcojë kontrollet në raportimin financiar dhe në udhëheqjen e aktiviteteve në pajtueshmëri me ligjin

“Përderisa, kishte përmirësime në tri ndërmarrje, te Telekomi i Kosovës, Ndërmarrja Publike Banesore dhe KRM Pastrimi, duke marr opinion të pamodifikuar, për dallim nga viti i kaluar që kanë pasur opinion të kualifikuar” – tha Spanca.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, paralajmëroi se plani i auditimit për sezonin 2023 – 2024 do të përfundojë me 31 gusht, kur ZKA-ja do të finalizojë auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore të Buxhetit të Shtetit për vitin 2023 dhe përmbledhjen e rezultateve të auditimit të kësaj sezone.