Rastet e nxënëseve në shkollat e Fushë-Kosovës, mbledhje urgjente mes zyrtarëve të Arsimit, këshillave të prindërve e Policisë

Drejtoria Komunale për Arsim e Fushë-Kosovës ka bërë të ditur se drejtori i kësaj Drejtorie, Fatlum Berisha, së bashku me zyrtarët e DKA-së dhe drejtorë të shkollave kanë mbajtur mbledhje urgjente me këshillat e prindërve të disa prej shkollave të mesme të ulëta.

Në këtë takim, sipas njoftimit, ishin prezentë edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Gjatë këtij takimi, sipas DKA-së, drejtori Berisha kërkoi që me seriozitet maksimal të trajtohen rastet kur vërehen apo ka dyshime për përfshirje të nxënësve në sfida virtuale që shkaktojnë dëmtime dhe rrezikojnë shëndetin e tyre.

“Me fokus të veçantë kërkoi nga prindërit që të rrisin mbikëqyrjen e tyre ndaj nxënësve se me çfarë po kalojnë kohën në telefonat apo mjetet tjera teknologjike”- thuhet në njoftimin e DKA-së.

Po sipas njoftimit, në këtë takim ishin prezentë dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, në krye me komandantin e stacionit në Fushë-Kosovë , Bekim Zogiani, të cilët janë duke i trajtuar rastet ku nxënësit kanë ekspozuar veten ndaj prerjeve me mjete të mprehta.

DKA thotë se apeli i Policisë është që për çdo rast të dyshuar apo evidentuar të kontaktohen institucionet përgjegjëse dhe të ngritët bashkëpunimi shkollë-prind-nxënës.

Çështja e sigurisë në shkolla është aktualizuar ditëve të fundit pas paraqitjes së disa rasteve në dy shkolla në Fushë-Kosovë, ku disa nxënëse kanë lënduar veten pasi u “frymëzuan” nga një lojë në “TikTok”.

Mbi 15 nxënëse të dy shkollave në Fushë-Kosovë dyshohet se i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitura nga një “lojë” në “TikTok”

Po ashtu, vajza e gra të Kosovës janë bërë viktimë e ngacmimeve dhe shqetësimeve pasi numrat e tyre u shpërndanë në grupin “AlbKings” në rrjetin social “Telegram”.

7 anëtarë të dyshuar të këtij grupi janë arrestuar më 30.05.2024 nga Policia e Kosovës.

Këto tema janë trajtuar edhe në edicionin e sontëm të emisionit “Kallxo Përnime”.