Ilustrim

Ramush Haradinajt i hiqen 101 vota pas rinumërimit në Dragash

Në një vendvotim në komunën e Dragashit ka ndodhur një gjë e pazakontë.

Në vendvotimin në të cilin koalicioni AAK-PSD kishte marrë 10 vota, kandidati për deputet, Ramush Haradinaj, kishte arritur të merrte plot 106 vota.

Kështu të paktën ishte shënuar në vendvotimin me numër 0509A/01D, të kryesuar nga Asri Qusaj me komisionerët Mervan Trupaj, Zijadin Meleqi, Muela Guri, Bukuroshe Kalanderi dhe Arjan Sofi.

Rinumërimi i këtyre votave nga ana e KQZ-së ia hoqi ish-kryeministrit 101 vota, duke ia lënë vetëm 5 sa kishte në të vërtetë nga 10 votat e koalicionit.

Monitoruesit e KALLXO.com, të cilët janë duke përcjellë procesin e rinumërimit të votave, janë duke vënë në pah dallime të mëdha që nga hera e parë e numërimit të votave dhe pastaj në rinumërim

Në këtë vendvotim kishte dallime të mëdha edhe në kandidatët e tjerë për deputet.

Parregullsitë te kandidatët e PDK-së

Kadri Veselit gjatë numërimit i ishin shënuar 91 vota, ndërsa rinumërimi atij i solli një votë më shumë.

Valon Muratit, Abelard Tahirit, Gentiana Beqës, Kurtan Kajtazit, Faik Gecit dhe Gazmend Bytyqit, rinumërimi ua hoqi nga një votë ndërsa tri ia hoqi kandidates Leonora Bunjaku.

Më i dëmtuari nga procesi i numërimit nga ana e kandidatëve të PDK-së ishte Mërgim Lushtaku.

Lushtakut në numërimin e 6 tetorit i ishin shënuar vetëm 3 vota, ndërsa pas procesit të rinumërimit atij i janë shtuar edhe gjashtë vota.

Parregullsitë tek kandidatët e AAK-së

Në numërimin e votave Lulzim Kabashit dhe Driton Qaushit i ishin shënuar nga një votë, ndërsa procesi i rinumërimit ua hoqi këto vota duke i lënë me zero vota këta kandidatë në këtë vendvotim. E kandidatja Fiknete Bejta e cila nuk kishte marrë asnjë votë në këtë vendvotim, pas rinumërimit u bë me një votë.

Parregullsitë te koalicioni Nisma-AKR-PD

Parregullsi pati edhe te kandidatët për deputetë nga koalicioni Nisma-AKR-PD. Aty rinumërimi Fatmir Limajt ia solli 2 vota më shumë, nga 11 në 13, ndërsa Behgjet Pacollit iu hoqën 3 vota, nga 13 vota në 10 pas rinumërimit.

Nga një votë rinumërimi ia hoqi edhe Vesel Krasniqit dhe Albana Bytyqit ndërsa një ia shtoi Albulena Balajt.

Parregullsitë te kandidatët e Vetëvendosjes

Albin Kurtit, Glauk Konjufcës, Liburn Aliut, Fatmire Kollqakut, Haki Abazit, Rexhep Selimit, Saranda Bogojevcit, Mefail Bajqinovcit, Ali Lajqit, Agron Avdijajt dhe Eman Ramadanit, rinumërimi i këtij vendvotimi ua hoqi nga një votë. Ndërsa nga  një ia shtoi Albulena Haxhiut, Labinotë Murtezit dhe Mergim Mestanit.

Parregullsitë te kandidatët e LDK-së

Pas rinumërimit Vjosa Osmanit iu  hoqën katër vota, nga 204 i mbetën 200, shtatë iu hoqën Bahtjar Berishës, dy vota iu hoqën Hatim Baxhakut, ndërsa nga një iu hoq Kujtim Shalës, Anton Qunit, Driton Selmanajt, Arben Gashit, Fidan Rekaliut, Armend Zemajt, Ardian Shalës, Selim Kryeziut, Ilir Tashollit, Xhevdet Çunit, Haki Demollit, Marigona Gecit dhe Mimoza Shahinit.

E nga rinumërimi përfituan Fidan Rekaliu, Brikenda Kryeziu, Mikete Hajdari, Rrezarta Krasniqi dhe Anton Gjokaj, pasi iu shtuan nga një votë.