Lul Raka, mikrobiolog - Foto: REL

Raka: Nëse nuk mbahet distanca sociale, vala e dytë e COVID-19 do të jetë po aq e keqe sa e para

Lul Raka, mikrobiolog dhe koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i cili shpreson që numri i rasteve pozitive me COVID-19 të mos shtohet ka thënë se pas datës 4 maj mund të ketë një valë të lehtë të shtimit të rasteve pozitive nëse mbahen rekomandimet e IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Raka thotë se edhe kur të përfundojë kufizimi i lëvizjes me datën 4 maj përsëri mund të ketë rritje të lehtë të numrit të rasteve pozitive në valën e dytë të sëmundjes, por të menaxhueshme nga sistemi jonë shëndetësor.

Gjithashtu Raka ka thënë se numri i personave të ndjeshëm dhe imunë në popullatë në fund të valës së parë e përcakton magnitudën potenciale të valës pasuese.

“Epidemia nuk mbaron me 4 Maj. Singapori, që ishte shembull i përballjes me koronavirus, këto ditë shënoi 1426 raste të reja në valën e dytë. Sëmundja u shfaq në konvikt të punëtorëve, i cili ishte i mbingarkuar dhe pa masa adekuate higjienike. Në veri të Kinës, po ashtu, kishte raste të reja. Pas 4 majit, nja 5-10 ditë më vonë mbase mund të kemi një rritje të lehtë të numrave. Por këta duhet të jenë të menaxhueshëm për kapacitetet tona ekzistuese shëndetësore. Po ashtu, duhet të përgatitemi që pas kësaj kohe të vazhdojmë të testojmë rastet e reja, t’i izolojmë dhe gjurmojmë kontaktet e tyre. Numri i personave të ndjeshëm dhe imunë në popullatë në fund të valës së parë e përcakton magnitudën potenciale të valës pasuese. Por, nëse nuk respektohet distanca sociale dhe vazhdojmë grumbullimin sikur gjithçka u kry, atëherë vala tjetër mund të jetë po aq e keqe si kjo e para”, ka shkruar Raka.

604 persona janë të infektuar nga kjo pandemi në nivel vendi, 128 prej tyre janë shëruar dhe 18 kanë vdekur.