Punësimet qeveritare bëhen me ligjin e vjetër derisa të zhbllokohet i riu

Ministria e Administratës Publike i ka dhënë fund diskutimeve dhe vakumit juridik se cili ligj është ligji i zbatueshëm për shërbyesit civilë përderisa Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar zbatimin e ligjit të ri.

Me anë të një vendimi të marrë më 9 janar, kjo Ministri i ka udhëzuar të gjitha institucionet që deri më 28 shkurt 2020, kur përfundon masa pezulluese ndaj ligjit të ri, ta zbatojnë ligjin e vjetër mbi Shërbyesit Civilë.

Vakumi ishte krijuar që nga data 25 nëntor 2019, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte pezulluar Ligjin mbi Zyrtarët Publikë.

Kushtetuesja nuk kishte dhënë sqarim se cili do të jetë ligji i zbatueshëm deri në përfundim të periudhës së pezullimit duke bërë kështu që disa institucione të zbatojnë ligjin e ri e disa ligjin e vjetër.

Lidhur me këtë situatë shumë institucione i janë drejtuar Ministrisë së Administratës Publike me kërkesë për sqarim se sipas cilit ligj duhet të veprohet deri më 28 shkurt.

Sipas këtij vendimi të Ministrisë të gjitha institucionet e Kosovës duhet që deri me 28 shkurt ta zbatojnë ligjin mbi shërbimin civil në të gjitha fushat.

Kjo nënkupton se institucionet e vendit duhet që edhe me rastin e zhvillimit të procedurave të rekrutimit ti kthehen prapë Ligjit mbi Shërbimin civil ndonëse Ligji mbi zyrtaret Publik kishte kërkuar që të gjitha procedurat sipas ligjit të vjetër të pezullohen.