Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Publikoi në 'Tik Tok' pamje duke dëmtuar pronën publike, arrestohet 21-vjeçari

Policia e Ferizajt ka arrestuar një 21-vjeçar sepse i njëjti ka postuar në rrjetin social “Tik Tok” dy video, ku shihet duke dëmtuar pronën publike.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është parë duke dëmtuar me thikë një shenjë vertikale të komunikacionit.

“Policia, menjëherë ka nisur hetimet në kërkim të tij dhe shumë shpejtë e ka identifikuar personin dhe vendodhjen tij, ku të njëjtin e ka shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj”, njofton Policia.

Në njoftim thuhet se F.V. kishte shpërndarë dy video-incizime, njërin përpara Gjykatës Themelore dhe tjetrin në fshatin Talinovc i Muhaxherëve të Ferizajt.

Me vendim të prokurorit të Prokurorisë së Ferizajt, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti penal – dëmtim i pronës publike.

Sipas Policisë rasti vazhdon në procedurë të rregullt.