Libri “Përcaktuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të shtetësisë së Kosovës”; Fotografi: KALLXO.com

Publikohet vëllimi i dytë i librit “Përcaktuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të shtetësisë së Kosovës”

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) sot ka publikuar vëllimin e  dytë të librit ‘Local and international determinants of Kosovo’s statehood: Volume II’ (Përcaktuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të shtetësisë së Kosovës – Vëllimi II).

Sipas, KFOS-it ky vëllim është vazhdim i koleksionit të mëparshëm që përqendrohet në disa nga pyetjet më të nxehta dhe më sfiduese të politikës së brendshme dhe të jashtme me të cilat përballet Kosova.

“Libri i ri vazhdon përpjekjen për të dhënë kontribut si në analizën shkencore ashtu edhe në të menduarit e politikave mbi ndikimet e brendshme dhe të jashtme dhe përcaktuesit e shtetësisë së Kosovës” shkruan KFOS-i.

Autorë janë Luke Bacigalupo, Donjetë Murati, Stephanie Schëandner-Sievers, Juan Manuel Montoro, Julianne Funk, Meris Musanovic, José Carpintero Molina, Liljana Cvetanovska, George Kyris, Gentiola Madhi, Svjetlana Ramic Marković, Boshko Stankovski dhe Donika Emini.

Ndërsa redaktorët e librit janë:Ioannis Armakolas, Agon Demjaha, Arolda Elbasani dhe Stephanie Schëandner- Sievers.

KFOS-i ka treguar se pjesa e parë përqendrohet në kulturë, trashëgimi dhe reprezentime dhe se kapitujt e kësaj pjese shtjellojnë aspekte të ndryshme të kulturës dhe trashëgimisë dhe – në një kuptim më të gjerë – identitetin dhe reprezentimet e vetes dhe tjetrit në Kosovën bashkëkohore.

Kurse, pjesa e dytë përqendrohet në çështjet e zbatimit dhe interpretimit vendor të normave, rregullave dhe politikave ndërkombëtare.

“ Kapitujt e kësaj pjese shtjellojnë politikën komplekse të reformës së brendshme dhe sfidat e qenësishme për bartjen dhe mëvetësimin e politikave dhe kornizave institucionale të preferuara nga bashkësia ndërkombëtare” shkruan KFOS.

Ndërsa, pjesa e tretë përqendrohet në marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe se kapitujt në këtë pjesë shtjellojnë paqartësitë e prodhuara nga fakti se shtetet anëtare të BE-së ende nuk kanë qëndrim të unifikuar në lidhje me çështjen e pavarësisë së Kosovës, ku pesë anëtarët e saj në shkallë të ndryshme krijojnë pengesa karshi shpresave të Prishtinës për integrim evropian. 

Sipas KFOS-it, kapitujt shtjellojnë sfidat që rezultojnë nga rënia e besueshmërisë karshi BE-së për shkak të dështimit të saj për të përmbushur premtimet ndaj Kosovës, por edhe si rezultat i dobësimit të përgjithshëm të perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ky libër është i treti në serinë e rezultateve  të hulumtimit të projektit të KFOS-it të titulluar “Ndërtimi i njohurive për Kosovën; i cili filloi në vitin 2016 dhe që atëherë u shndërrua në projekt-rrjetin kryesor të Fondacionit që njihet si Kosovo Research and Analysis Fellowship (KRAF) .