Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albin Kurti: Nuk do të ngutemi për dialog me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një diskutimi në Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), të transmetuar në KTV, ka folur rreth temës së dialogut me Serbinë.

Kurti ka thënë nuk do të nguten për ndonjë marrëveshje me Serbinë duke shtuar se e vetmja temë e cila nuk pret është ajo e personave të pagjetur.

“Duhet të përgatitemi mirë për dialog, nuk mund të kemi një dështim të radhës, nuk jam për t’u ngutur me fjalët se do të kemi marrëveshje që do t’i përmbyllin të gjitha marrëveshjet, e as ato historike, më mirë të jemi realistë e modestë sesa të jepin fjalë të mëdha e t’i kemi spektakulare dështimet. Është çështja e të pagjetureve, është e vetmja temë që nuk pret, tjerat nuk do t’i neglizhojmë por presin”, theksoi ai.

Ndërsa  sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se Asociacioni nuk mund të ketë karakter njëetnik, duke përmendur edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, nuk mund të jetë karakteri njëetnik, e thotë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Serbia synon të jetë në mes BE-së dhe Federatës Ruse, në mes Amerikës dhe Kinës. Aktualiteti i raporteve me Serbinë është i definuar”, tha Kurti.