Kurti: Do të përgatisim dosje me të gjitha shkeljet e marrëveshjeve nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për reciprocitetin ndaj Serbisë gjatë një diskutimi të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)  të transmetur në KTV, ka paralajmëruar përgatitjen e një dosje me shkeljet e marrëveshjeve nga Serbia.

“Nuk e  kemi vendosur reciprocitetin si barrierë ndaj Serbisë jo për të vënë barriera por që ajo të heqë barrierat, kësisoji e shohim reciprocitetin në parim. Do të përgatisim dosje me të gjitha shkeljet e Serbisë paraprakisht që ia bënë edhe CEFTA-s, duke u përfaqësuar si UNMIK”, tha Kurti.

Sa i përket marrëveshjes së Washigtonit në mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti ka thënë se e kritikon atë për faktin se është bërë shpejt e shpejt.

“Ajo ka qenë një lloj zotimi i njëanshëm në mënyrë të dyfishtë edhe i Kosovës edhe Serbisë. Unë e kam kritikuar atë marrëveshje për shkak se është bërë shpejt e shpejt me aq shumë gjëra të ngjeshura me një faqe tekst. Sa i përket disa gjërave si ndarja e Ujmanit apo e moratoriumit  për njohjet kjo na bie ndesh me Kushtetutën e vendit tonë”, ka thënë Kurti.