Publikohen pamjet e kamerave që u gjetën në veri e që dyshohen se u përdorën për spiunazh

Ministri i Punëve të Brendshme ka publikuar pamjet e kamerave që janë kapur sot në veri të vendit e që dyshohen se janë shfrytëzuar për spiunazh.

“Mekanizmat e kontrollit dhe spiunazhit të Serbisë në Republikën tonë do t’i luftojmë me çdo kusht” – ka shkruar ministri Sveçla.

“Sot janë identifikuar dhe sekuestruar dy kamera të kamufluara në dy lokacione dhe pajisje të tjera ndihmëse të komunikimit, nga të cilat institucionet e Serbisë kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve, zyrtarëve të institucioneve tona të sigurisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë”- ka thënë Sveçla në njoftimin e tij në Facebook.

Këtu mund ta shikoni videon.

Sipas tij, ka përfunduar koha e kontrollit të veriut të vendit nga strukturat kriminale e terroriste të Serbisë. Tani në Republikën e Kosovës do të mbizotorojnë rendi dhe ligji.

Policia e Kosovës ka njoftuar sot më 27.06.2024 se ka gjetur dy kamera të vendosura në lokacione në veri të vendit, të cilat dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.Ai tha se më datë 27.06.2024, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në, kanë identifikuar dy lokacione në të cilat kanë qenë të vendosura kamerat vëzhguese të kamufluara.

Kamerat, sipas zëvendësdrejtorit Elshani, dyshohet se janë përdorur për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit.

Elshani shtoi se lidhur me këtë rast janë të identifikuar dy persona të cilët, sipas tij, “janë me interes që të intervistohen” nga ana e Policisë.