Pse shtetet të cilat dështojnë me gratë, dështojnë?

Dhe pse politika e jashtme duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje gjysmës tjetër të njerëzimit.

Kur SHBA dhe aleatët e saj i larguan nga pushteti talebanët në vitin 2001 nga Afganistani, regjistrimi i vajzave afgane në shkollat fillore u rrit nga 0% në mbi 80%. Vdekshmëria foshnjore u përgjysmua. Martesat e detyruara u bënë të jashtëligjshme. Shumë nga ato shkolla ishin poshtë standardeve të kërkuara dhe shumë familje e injoruan ligjin mbi shkollimin, megjithatë, askush seriozisht nuk e vë në dyshim faktin se gratë dhe vajzat afgane kanë përfituar shumë në këto 20 vitet e fundit, apo edhe se ato të përfitime tani janë në rrezik.

Sipas Departamentit të Shtetit Amerikan, Shtetet e Bashkuara janë “të përkushtuara për avancimin e barazisë gjinore” përmes politikës së tyre të jashtme. Është shumë e çuditshme ta përshkruash trashëgiminë miliarda dollarëshe të armatimit dhe të një shteti mesatar që ka brenda tij një grup mizogjinistësh të dhunshëm. Sigurisht, politika e jashtme përfshin kompromise të vështira. Por ka dëshmi në rritje se Hillary Clinton ishte duke bërë diçka kur kishte deklaruar, një dekadë më parë, se “nënshtrimi i grave është… një kërcënim për sigurinë e përbashkët të botës sonë”. Shoqëritë që shtypin gratë kanë më shumë gjasa të jenë të dhunshme dhe të paqëndrueshme.

Ka disa arsye të mundshme për këtë. Në shumë vende, vajzat abortohen në mënyrë selektive ose neglizhohen fatalisht. Kjo ka çuar në shtrembërim të raporteve seksuale, që do të thotë se miliona të rinj janë të dënuar të mbeten beqarë. Të rinjtë e frustruar kanë më shumë gjasa drejt krimeve të dhunshme ose të bashkohen me grupet rebele. Rekrutuesit për Boko Haram dhe Shtetin Islamik e dinë këtë dhe u premtojnë atyre “gra” si plaçkë lufte. Poligamia gjithashtu krijon një tepricë të të rinjve beqarë.

Të gjitha konfliktet kanë shkaqe komplekse. Por mund të mos jetë rastësi që Kashmiri ka një nga raportet më të pabalancuara të seksit në Indi, ose që të gjitha 20 shtetet më të trazuara në Indeksin e Shteteve Fragile (Fragile States Index) të përpiluara nga Fondi për Paqe në Uashington (Fund for Peace me seli në Washington) e praktikojnë poligaminë. Në Guinea, që përjetoi një grushtshtet më 5 shtator, 42% e grave të martuara të moshës 15-49 vjeç janë pjesë e unioneve të poligamisë. Shteti policor i Kinës e mban të fshehtë tepricën e burrave, dhe fqinjët e Kinës ndonjëherë pyesin nëse agresioni i tyre mund të kërkojë një rrugëdalje një ditë.

Përtej demokracive të pasura, grupi i farefisnisë mashkullore është ende njësia bazë e shumë shoqërive. Grupe të tilla u shfaqën kryesisht për vetëmbrojtje: kushërinjtë meshkuj do të bashkoheshin për t’i zmbrapsur të huajt. Sot, ata kryesisht shkaktojnë telashe. Mosmarrëveshjet klanore sot janë rezultat i përgjakjes në Lindjen e Mesme dhe në Sahel. Fiset garojnë për të kontrolluar shtetin, shpesh me dhunë, në mënyrë që ata t’i ndajnë punët dhe t’i plaçkitin të afërmit e tyre. Ato shtete bëhen të korruptuara dhe jofunksionale, duke i tjetërsuar qytetarët dhe duke rritur mbështetjen për xhihadistët që premtojnë të qeverisin në mënyrë më të drejtë.

Shoqëritë e bazuara në lidhje mashkullore priren t’i nënshtrojnë gratë. Baballarët zgjedhin me kë do të martohen vajzat e tyre. Shpesh ka një çmim për nusen – familja e dhëndrit paguan disa herë shuma të mëdha për familjen e nuses. Kjo u jep etërve një stimulim për t’i martuar vajzat e tyre më herët. Nuk është problem i vogël. Marrëveshjet për martesën e vajzave janë të zakonshme në gjysmën e shteteve të botës. Një e pesta e grave të reja në botë janë martuar para moshës 18 vjeç; një e njëzeta e grave para moshës 15. Nuset fëmijë kanë më shumë gjasa ta braktisin shkollën, më pak të afta për t’u bërë ballë burrave abuzues dhe më pak të ngjarë të rrisin fëmijë të shëndetshëm dhe të mirë arsimuar.

Hulumtuesit në universitetet Texas a&m dhe Brigham Young përpiluan një indeks global të pikëpamjeve paramoderne ndaj grave, duke përfshirë ligjet seksiste të familjes, të drejtat e pabarabarta të pronës, martesat e hershme për vajzat, martesat patrilokale, poligaminë, kostot për nuset, preferencat e djalit, dhunën kundër grave dhe dakordimin ligjor (për shembull, a mundet një përdhunues t’i shpëtojë dënimit duke u martuar me viktimën e tij?). Rezultati i hulumtimit rezultoi se ishte shumë i lidhur me paqëndrueshmërinë e dhunshme në një shtet.

Nga kjo mund të nxirren mësime të ndryshme. Përveç mjeteve të tyre të zakonshme analitike, politikëbërësit duhet të studiojnë gjeopolitikën përmes pikëpamjes së seksit. Ky indeks i zakoneve seksiste, sikur të kishte ekzistuar 20 vjet më parë, do t’i kishte dhënë një paralajmërim se sa i vështirë do të ishte shtetndërtimi në Afganistan dhe Irak. Sot, ndërkohë, ka sugjerime se stabiliteti nuk mund të merret si i mirëqenë në Arabinë Saudite, Pakistan, apo edhe në Indi.

Bisedimet për paqe duhet t’i përfshijnë gratë. Midis viteve 1992 dhe 2019, vetëm 13% e negociatorëve dhe 6% e nënshkruesve të marrëveshjeve mbi paqen ishin femra. Megjithatë paqja tenton të zgjasë më shumë kur gratë janë pjesë e tavolinës së bisedimeve. Kjo ndodh sepse ato janë më të gatshme për kompromis; ose ndoshta sepse një dhomë pa gra nënkupton një ngatërrim midis burrave me armë por me mungesë kontributi nga joluftëtarët. Liberia e përqafoi këtë të drejtë dhe i dha fund një lufte të tmerrshme civile; Sundimtarët e rinj të Afganistanit nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Më gjerësisht, qeveritë duhet ta kuptojnë këtë kur thonë se duan të çlirojnë gjysmën e njerëzimit. Edukoni vajzat, shumë prej të cilave kanë braktisur shkollën për të punuar ose martuar që kur Covid-19 i varfëroi familjet e tyre. Të zbatohen ndalesat për martesën e fëmijëve dhe gjymtimin gjenital të femrave, edhe pse një gjë e tillë është e vështirë në fshatrat më të largëta. Mos e pranoni poligaminë. Barazoni të drejtat mbi trashëgiminë. Mësojini djemtë të mos i rrahin gratë. Prezantoni përfitime publike financiare, të cilat minojnë traditën ku çiftet pritet të jetojnë me prindërit e burrit sepse të moshuarit nuk kanë mjete të tjera mbështetëse.

Shumica e këtyre që u cekën më lart janë detyra që duhet përmbushur nga qeveritë shtetërore, por të huajt kanë njëfarë ndikimi. Që kur donatorët perëndimorë filluan të flasin më shumë për arsimimin e vajzave, më shumë vajza kanë shkuar në shkollë (regjistrimi fillor është rritur nga 64% në vitin 1970 në gati 90% sot). Fushatat kundër martesës së hershme kanë shtyrë më shumë se 50 shtete ta rrisin moshën minimale që nga viti 2000. Djemtë duhet të mësojnë rreth jodhunës nga mentorët vendas, por idetë se si të hartohen programe të tilla ndahen përmes një rrjeti global të bamirësive dhe grupeve të studimit. Donatorë të tillë si USAID dhe Banka Botërore kanë bërë një punë të mirë në promovimin e të drejtave të pronësisë për gratë, edhe nëse përpjekjet e tyre që ndërlidhen me Afganistanin janë gati të shkojnë huq.

Pikëpamja radikale

Politika e jashtme nuk duhet të jetë naive. Shtetet kanë interesa jetike dhe kanë nevojë t’i pengojnë armiqtë. Gjeopolitika nuk duhet parë vetëm përmes një lente feministe, më shumë sesa duhet parë vetëm në aspektin ekonomik ose mospërhapjen bërthamore. Mirëpo politikëbërësit që nuk i marrin parasysh interesat e gjysmës së popullsisë nuk mund të shpresojnë ta kuptojnë botën.

Përktheu: Nuhi Shala