Foto: KALLXO.com

Protestuesit hedhin mjete zjarrvënëse drejt ndërtesës së Qeverisë

Protestuesit që po shprehin revoltën e tyre ndaj kundër vrasjes së grave kanë hedhur mjete zjarrvënëse në oborrin e objektit të Qeverisë së Kosovës.

Zjarri më pas është ndalur nga një person.

Pas thirrjeve “Dorëheqje!”, “Dorëheqje!”, protesta ka përfunduar dhe protestuesit janë shpërndarë.

Protesta ka nisur në sheshin e Prishtinës për të vazhduar te Ministria e Drejtësisë, ku me thirrje për drejtësi për gratë e vrara gjatë viteve të fundit në vend kanë vendosur mbishkrime duke kërkuar që vrasja e grave nga burrat të trajtohet me urgjencë kombëtare.

Ata mbushën sheshin e Prishtinës duke mbajtur pankartat me këto pankarta “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”, “Vrasja e grave është politike”, “Vrasjet e grave janë vrasje të paralajmëruara”, “Një djep më pak, dy varre më shumë”.

Aty ka qenë e pranishme edhe Policia e Kosovës.

Nga aty, protestuesit kanë kaluar te Këshilli Prokurorial i Kosovës. Edhe këtu protestuesit kanë shkruar grafite të njëjta.

Kjo protestë po mbahet në kryeqytet pas vrasjes së një gruaje shtatzënë që ndodhi mbrëmë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR.