Gjyqtari Sali Berisha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria kap Gjykatësin e Pejës ‘me pelë për dore’

Dy mijë euro kesh i ishin gjetur në xhep Gjykatësit nga Peja, Sali Berisha pas masave të fshehta të aplikuara, siç ka njoftuarProkuroria Speciale.

Gjykatësi i Pejës, është arrestuar dje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se fillimisht kishin marrë informacione nga viktima që ka denoncuar gjyqtarin për abuzim të funksionit të tij zyrtar.

Prokuroria thotë se ka dyshim të bazuar që gjykatësi ka kërkuar dhe ka marrë 4 mijë euro në mënyrë që mos të veprojë në pajtim me detyrën e tij.

Më pas gjatë operacionit policor(masave të fshehta) të zhvilluar me datën 19 shtator 2019, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar shumën prej dy mijë eurove.

Gjithnjë sipas prokurorisë, këto para ai i kishte marrë në  proces për të finalizuar shumën prej 6 mijë eurove, në lidhje me lëndën penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë.

Pas arrestimit i dyshuari është kontrolluar në prezencën e avokatit në Pejë, me ç’rast i janë gjetur në xhep paratë 2 mijë euro, të cilat janë përdorur për aplikimin e masës së fshehtë ‘simulim i veprës së korrupsionit’.

Me aprovim të prokurorit, është kontrolluar banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar armë, karikator, 10 mijë euro, shkresa dhe shkresa të gjykatës.

Kallxo.com ka raportuar për arrestimin e gjyqtarit.

Arrestohet Sali Berisha, gjykatës në Pejë