Foto: Ilustrim

Prokuroria e Prishtinës: I dyshuari për mashtrim me subvencione është fermer

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person me inicialet Xh.U. nën dyshimin për mashtrim me subvencione.

Në njoftim është thënë se Xh.U. përmes paraqitjes së dëshmive dhe të dhënave të rreme dhe duke ushtruar ndikim të kundërligjshëm ka përfituar subvencion në vlerë prej dhjetëra mijëra euro në vitin 2020.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, i arrestuari në cilësinë e fermerit (përfituesit të subvencioneve), ka paraqitur te dhëna te rreme dhe jo të sakta me rastin e aplikimit për subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), me qëllim të përfitimit të subvencioneve duke i shkaktuar dëm të madh buxhetit të Republikës së Kosovës.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale – mashtrimi me subvencione dhe ushtrimi i ndikimit.

Tutje Prokuroria ka thënë se me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.