Prizren, plagoset një person me armë zjarri, i dyshuari në arrati

Policia ka bërë të ditur se një person është plagosur sonte, më 17.05.2024, me armë zjarri në Nashec të Prizrenit, ndërsa i dyshuari është në arrati.

Vesel Gashi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit, ka bërë të ditur se i plagosuri është dërguar në Spitalin e Prizrenit dhe është jashtë rrezikut për jetën.

“Pas marrjes së informatës Policia menjëherë iu ka përgjigj rastit, ka shkuar në spital dhe sipas informatave te para viktima është J.A. viti i lindjes 1987, nga fshati Korishë e Prizrenit. Ndërsa i dyshuari i cili është larguar nga vendi i ngjarjes është po ashtu nga fshati Korishë dhe bëhet fjalë për personin B.U.”- ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se viktima është plagosur në këmbën e djathtë dhe se, sipas tij, mjekët kanë treguar se ai është jashtë rrezikut për jetë.

Rasti, sipas tij ka ndodhur në fshatin Nashec të Prizrenit, ku dyshohet se i dyshuari ka gjuajtur nga automjeti duke lëvizur në automjetin e viktimës.

Ai ka thënë se njësitet policore janë në kërkim të të dyshuarit.

Lidhur me rastin, sipas Gashi, është njoftuar prokurori i shtetit dhe sektori i hetimeve rajonale në Prizren.