COVID-19

Prishtinë, priten rezultatet për rreth 70 mostra për COVID-19

Kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, javëve të fundit i është rritur numri i rasteve të personave të infektuar me COVID-19.

Vetëm mbrëmë nga rezultatet e publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u bë e ditur që 41 persona kanë rezultuar pozitivë me coronavirus në Prishtinë.

Ndërsa, rreth 70 mostra të marra dje dhe sot priten t’u dalin rezultatet këto ditë.

Meqenëse tash është rritur numri i rasteve, testimet e bëra gjatë ditës nuk po u dalin rezultatet në mbrëmje.

“Po, ka edhe të djeshme që nuk janë realizuar (pozitiv apo negativ), rreth 30 kanë qenë dje dhe sot janë rreth 30 apo 40 teste që i bie janë diku rreth 60 apo 70 rezultate që priten të cilat janë marrë në QKMF, pa i përfshirë edhe ato që janë në Klinikën Infektive”, tha drejtori komunal i Shëndetësisë, Bujar Gashi, për KALLXO.com.

Ndërsa, sa i përket testimeve të rasteve të kontaktit, Gashi tha se janë duke u testuar vetëm familjarët e afërt dhe personat të cilët kanë simptoma.

“Kontaktet e afërta dhe rastet e simptomave”, u shpreh tutje.

Sa i përket gjendjes së pacientëve, drejtori tha se ata të cilët janë në gjendje më të rëndë po mbahen në spital ndërsa të tjerët janë mirë.

“Kryesisht janë mirë kanë simptoma por jo të theksuara, dhe ata që janë në gjendje më të rëndë janë në spital”, potencoi ai.

Menaxhimi i situatës varet edhe nga qytetarët, thotë tutje ai.

Gjithashtu, Gashi theksoi se  edhe inspektorati e policia janë duke kontrolluar në lidhje me respektimin e masave.

“Po e menaxhojmë aq sa po ndihmojnë qytetarët duke i zbatuar masat, menaxhimi po varet edhe nga qytetarët. Kontrollet po bëhen nga inspektorati dhe policia, por nuk mjafton vetëm ajo. Prishtina është e gjerë dhe është problem të menaxhohet”, potencoi ai.

Numri i rasteve me COVID-19 është duke u rritur vetëm mbremë, IKShPK ka publikuar se nga 231 mostrave, 122 kanë rezultuar pozitiv, si dhe janë shëruar 81 persona të tjerë.

Në nivel vendi janë 2799 raste pozitive me COVID-19 që nga 13 marsi kur është paraqitur rasti i parë, ndërsa janë shëruar 1506 persona të tjerë, dhe kanë vdekur 50 prej tyre.

Sipas IKShPK-së të gjithë personat të cilët kanë vdekur nga kjo pandemi kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.