Foto: KALLXO.com Ilustrim

Prishtinë, i dyshuari godet veturën e policisë pasi u kap me drogë

Një i dyshuar është arrestuar për shkak se ka goditur veturën zyrtare të policisë me veturën e tij, pasi që iu konfiskuan disa lloje të lëndëve narkotike, në Prishtinë më 12.06.2024 rreth orës 18:10.

“I dyshuari me qëllim të shmangies arrestimit dhe ndalimit, me veturën e tij e ka goditur veturën zyrtare të policisë duke i shkaktuar dëme materiale si dhe dy zyrtarëve policorë iu ka shkaktuar lëndime trupore” – thuhet në raportin policor.

Policia fillimisht i kishte gjetur 5.4 gramë marihuanë në veturë.

“Me vendim të prokurorit është bërë kontroll në dy lokacione ku janë gjetur dhe konfiskuar: një sasi narkotikë e llojit marihuanë në peshë 102.5 gramë, 3.9 gram kokainë, një sasi e qeseve të zbrazëta, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 euro kesh para” – njofton policia.

I dyshuari është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje dhe dyshohet për veprat penale “Blerje, posedim, shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.