
Mitrovicë e Veriut - Foto: KALLXO.com
Pretendimet për helmimin e qenve në Mitrovicë të Veriut, Policia po e heton rastin
Rastet janë të shpeshta kur qentë endacakë shihen duke bredhur rrugëve në kërkim të ushqimit, sidomos në kohën e dimrit.
Por, ka qytetarë që vullnetarisht ushqejnë këto kafshë.
E krejt e kundërta po thuhet se është duke ndodhur në Mitrovicë të Veriut, ku disa qytetarë po pretendojnë se dikush qëllimisht po i helmon qentë endacakë.
Ata kanë dërguar në KALLXO.com fotografitë ku shihen qen të ngordhur dhe të shtrirë në tokë.
Banori Skender Sadiku për KALLXO.com tregon lagjet në Mitrovicë të Veriut, ku thotë se janë hasur këto kafshë të ngordhura, teksa kërkon nga Policia edhe Komuna të ndërmarrin masa.
“Kushdo që është duke e bërë, është duke bërë krim. Derisa veriu është i mbuluar me kamera, po mendoj se për Policinë nuk do të duhej të kishte problem. Është rrezik i shëndetit publik. Është e pafalshme dhe krijon rrezik permanent me u helmu edhe njerëzit. Kanë qenë kryesisht të koncentruar në qytet mirëpo edhe në lagjen “Tre Rrokaqiejtë”. Tre qen janë të helmuar te Kroi i Vitakut dhe te Kodra e Minatorëve”- tha Sadiku.
Qytetari tjetër Betim Osmani supozon se çka mund t’i shtyjë qytetarët ta bëjnë këtë gjë, gjithmonë duke mos e arsyetuar veprimin e tyre.
“I kam fotografu, para katër-pesë ditësh, ndërmjet Kroit të Vitakut dhe Kodrës së Minatorëve. Ka pasë raste që i kanë sulmu qytetarët e pastaj qytetarët i kanë helmu. Duke i dhanë çkamos veç me i asgjësu qentë. Si nuk ka institucione që merren me çështje të sigurisë së qytetarëve, atëherë qytetarët i marrin gjërat në dorë” – tha Osmani për KALLXO.com.
Shefi i operativës rajonale në Mitrovicë të Veriut, Petrit Fejza, thot se hetuesit e stacionit policor Mitrovicë-Veri janë të angazhuar në hetimin e secilit rast e po ashtu edhe në rastet me helmim të qenve.
“Sa i përket rasteve të fundit të datës 19.02.2025, njësiti policor ka dalë në vend të ngjarjes, ka hasur në dy qen të ngordhur, njëri prej tyre shihej që ka ngordhur kohë më herët ndërsa për tjetrin në bazë të të dhënave që iu kanë prezantuar zyrtarit të AUV, i njëjti ka udhëzuar që nuk ka shenja që mund të jenë helmuar”- potencoi Fejza.
Ndërsa zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë rast të helmimit të qenve në këtë pjesë të vendit.
“Për rastin e qenve nuk ka intervenu AUV-ja. Ata kanë mujtë me e thirrë ndonjë veterinar privat që është i kontraktuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, ata kanë mujtë me qenë. Përndryshe AUV-ja nuk ka pasë kërkesë. Përderisa veterinari e ka konstatuar që nuk ka helmim atëherë AUV-ja nuk ka nevojë me hapë rast fare”- tha ai.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Komunën e Mitrovicës së Veriut për ta pyetur se a është në dijeni për pretendimet për helmimin e qenve dhe për masat e marra, mirëpo deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërsa në një njoftim të lëshuar më 25.02.2025, kjo Komunë ka njoftuar se është duke bërë trajtimin e 500 qenve endacakë.
“Ne jemi duke trajtuar 500 qen endacakë në territorin e Komunës së Mitrovicës Veriore së bashku me fondacionin zviceran StrayCoCo. Të shpresojmë që deri në fund të vitit të gjithë të jetojmë në një rajon të sigurt me më pak qen endacakë”- thuhet në njoftim.
Po ashtu Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se do t’i trajtojë qentë endacakë përmes një marrëveshjeje bashkëfinancimi me Fondacionin Zviceran “StrayCoCo” që u nënshkrua më 12.08.2024.
Sipas Komunës, kjo marrëveshje në periudhë njëvjeçare përfshin kapjen e qenve nga vendi ku ata jetojnë, sterilizimin/kastrimin, vaksinimin kundër tërbimit, trajtimin kundër parazitëve dhe kthimin në vendin e tyre.
Njoftimi theksonte se ky projekt synon uljen e numrit të qenve endacakë dhe ofrimin e një mjedisi të sigurt e të shëndetshëm për banorët.