Mitrovica e Veriut nënshkruan marrëveshje bashkëfinancimi për trajtimin e qenve endacakë
Komuna e Mitrovicës së Veriut do t’i trajtojë qentë endacakë përmes një marrëveshjeje bashkëfinancimi me Fondacionin Zviceran “StrayCoCo” që u nënshkrua sot, më 12.08.2024.
Sipas Komunës, kjo marrëveshje në periudhë njëvjeçare përfshin kapjen e qenve nga vendi ku ata jetojnë, sterilizimin/kastrimin, vaksinimin kundër tërbimit, trajtimin kundër parazitëve dhe kthimin në vendin e tyre.
Njoftimi thotë se ky projekt synon uljen e numrit të qenve endacakë dhe ofrimin e një mjedisi të sigurt e të shëndetshëm për banorët.
“Projekti do të zbatohet nga ekipi i DVM Labinot Osmani -Klinika Veterinare “Mitro Vet” partnere e Fondacionit StrayCoCo, ndërsa OJQ-ja lokale Šapa (Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve) do të jetë përgjegjëse për programin edukativ në shkolla, si dhe shkëmbimin e informacionit dhe ngritjen e ndërgjegjësimit publik për përfitimet e programit” – thotë Komuna e Mitrovicës së Veriut.
Kjo Komunë ka ftuar banorët që të informojnë klinikën “MitroVet” ose OJQ-në “Šapa” për qentë endacakë dhe ka nxitur pronarët e qenve që t’i bëjnë kafshët e tyre me mikroçipe dhe t’i sterilizojnë/kastrojnë ata për të shmangur këlyshët e padëshiruar.
“Gjithashtu nga qytetarët kërkojmë që para se të blejnë qen, të marrin në konsideratë adoptimin e qenve të shpëtuar dhe të mos i braktisin kafshët shtëpiake dhe këlyshët e tyre sepse në këtë mënyrë krijojnë problem për të gjithë komunitetin” – thuhet më tej.
Ky projekt mbulon sterilizimin edhe të qenve me pronarë që nuk mund ta përballojnë koston. Prandaj, Komuna fton të interesuarit që ta kontaktojnë këtë klinikë në numrin +38349818202.
Policia e Kosovës, e pranishme në takimin e sotëm, është zotuar që të bashkëpunojë me aktivistët për zbatimin e ligjit te individët që veprojnë në kundërshtim me atë.