Presidentja Osmani takohet me ambasadorin e BE-së në Kosovë

Gjatë ditës së sotme, Presidentja, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Ky takim sipas njoftimit të zyrës së presidentes, u realizua me qëllim të koordinimit më të mirë në prag të Samitit BE – Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

“Në takim u vlerësua fakti që për herë të parë, ky Samit do të mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar gatishmërinë e vendeve të BE-së për një angazhim më të madh drejt bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet e rajonit”- thuhet në njoftim.

Palët po ashtu sipas njoftimit diskutuan po ashtu për deklaratën, e cila pritet të miratohet nga pjesëmarrësit në Samit.

Me këtë rast, Ambasadori Szunyog dorëzoi kopjen fizike të ftesës nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel për Presidenten Osmani, e cila do ta përfaqësoj Kosovën në Samitin BE – Ballkani Perëndimor.