Presidenti Zelensky përfshihet në një aksident trafiku

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u përfshi në një aksident trafiku në Kiev, por ai nuk ka pësuar lëndime të rënda, tha zëdhënësi i tij në një postim në Facebook herët të enjten. Serhii Nykyforov, i cili nuk tha se kur ndodhi aksidenti, deklaroi se automjeti në të cilin gjindej presidenti ukrainas ishte përplasur me një automjet privat. “Presidenti u ekzaminua nga një mjek dhe nuk u gjetën lëndime serioze”- tha ai, duke shtuar se aksidenti do të hetohet. Mjekët që e shoqëronin Zelenskiy i dhanë shoferit të automjetit privat ndihmë urgjente dhe e futën në një ambulancë, tha ai.

Në fjalimin e tij televiziv të natës, një video e së cilës u postua menjëherë pas aksidentit, Zelenskiy tha se sapo ishte kthyer nga zona rreth Kharkivit, duke shtuar se “pothuajse i gjithë rajoni është i de-pushtuar” pas një kundërofensivë për t’i zhvendosur trupat ruse. “Ishte një lëvizje e paprecedentë e ushtarëve tanë – ukrainasit edhe një herë arritën të bëjnë atë që për shumëkë dukej e pamundur”- tha ai. Pasi vizitoi qytetin e çliruar të Iziumit, Zelenskiy tha se trupat e Ukrainës kanë rimarrë rreth 8,000 km katrorë territor.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka hasur në atë që zyrtarët e saj besojnë se është një “dhomë torture” e përdorur nga trupat ruse për t’i mbajtur të burgosur ukrainas në qytetin e Balakliia. Një banor i ka thënë BBC-së se ai u mbajt nga rusët në stacionin e policisë së qytetit për më shumë se 40 ditë dhe u torturua me goditje elektrike.

Gjermania ka dorëzuar katër armë të tjera kundërajrore Gepard dhe 65 frigoriferë në Ukrainë, njoftoi qeveria gjermane të mërkurën. Katër njësitë shtesë e çojnë numrin total të njësive Gepard të ofruara nga Gjermania në Ukrainë në 24 sosh.

Sipas Institutit të Studimit të Luftës, burimet e Kremlinit “po punojnë tani për ta pastruar [Presidentin rus Vladimir] Putinin nga çdo humbje e përgjegjshme, në vend të kësaj duke fajësuar për humbjen e pothuajse të gjithë rajonit të pushtuar të Kharkivit, këshilltarët ushtarakë të pa informuar”. Në një deklaratë të raportuar nga CNBC, instituti i lartcekur tha se “zyrtarët e Kremlinit dhe propaganduesit e medias shtetërore po diskutojnë gjerësisht arsyet e humbjes ruse në rajonin e Kharkiv, një ndryshim i dukshëm nga modeli i tyre i mëparshëm i raportimit mbi sukseset e ekzagjeruara ose të fabrikuara ruse me detaje të kufizuara”. 

Perspektivat për paqen në Ukrainë janë aktualisht “minimale”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së të mërkurën pas një bisede telefonike me Vladimir Putinin. “Kam ndjenjën se jemi ende shumë larg paqes. Do të gënjeja nëse do të thosha se mund të ndodhë së shpejti”, tha Guterres, duke shtuar: “Nuk kam asnjë iluzion; për momentin shanset për një marrëveshje paqeje janë minimale.” Edhe një armëpushim “nuk është në horizont”- shtoi ai.

Putini ende beson se kishte të drejtë kur nisi një pushtim të Ukrainës, tha të mërkurën kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas një telefonate 90-minutëshe me presidentin rus. “Mjerisht, nuk mund t’ju them se është rritur përshtypja se ishte një gabim të fillohej kjo luftë”- tha Scholz në një konferencë për shtyp.

Tetë raketa ruse që goditën Kryvyi Rih të mërkurën u drejtuan në strukturat hidraulike, duke shkaktuar mjaft dëme sa niveli i ujit të lumit Inhulets po rritej dhe përbënte një kërcënim serioz për qytetin. Kjo përputhet me shqetësimet e Ukrainës se Rusia do të vazhdojë ta targetojë infrastrukturën e Ukrainës si ndëshkim për suksesin e saj në rifitimin e territorit të pushtuar. Kryvyi Rih është qyteti i lindjes së Zelenskiy./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala